Anëtarësimi, Shqipërisë i dorëzohet sot pyetësori i Bashkimit Europian
Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian pritet t'i dorëzojë sot Kryeministrit Sali Berisha pyetësorin mbi bazën e të cilit Komisioni Europian do të përgatisë opinionin e tij mbi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE.
Ndër kriteret bazë të vlerësimit janë ato politike dhe përfaqësuesit e Brukselit e kanë bërë të qartë se klima aktuale politike në Shqipëri nuk i vjen në ndihmë këtij procesi të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Më 16 nëntor Këshilli i Ministrave të BE miratoi kërkesën e Shqipërisë, e cila ishte dorëzuar që në fund të muajit prill. Autoritetet shqiptare kanë deklaruar prej kohësh se ata kanë kryer të gjitha përgatitjet për të nisur menjëherë nga puna me pyetësorin.
Janë mbi 2 mijë pyetje të përfshira në dokumentin përmes të cilit autoriteteve shqiptare do t'i kërkohet shpjegim për ecurinë e vendit në të gjithë fushat dhe përputhshmërinë me kriteret e anëtarësimit.
Kjo fazë e procesit zgjat përgjithësisht deri në 18 muaj, por qeveria shqiptare ka deklaruar se shpreson ta përmbyllë dhe të marrë statusin e vendit kandidat brenda vitit të ardhshëm.
Kriza politike, BE tjetër apel Shqipërisë: Gjeni dialogun
BRUKSEL- Duke e cilësuar situatën e krijuar nga mungesa e dialogut si të pakënaqshme, Bashkimi Europain i është drejtuar me një tjetër kërkesë Shqipërisë.
Apeli këtë radhë vjen nga ministri i jashtëm i Suedisë që ka presidencën e radhës të BE-së, Karl Bildt i cili i bën thirrje udhëheqësve politikë të Shqipërisë që të ulen dhe të bien dakord ta çojnë vendin përpara.
"Për sa i përket gjendjes së dialogut politik në Shqipëri, për momentin është e pakënaqshme. Unë do t'i bëj apel udhëheqësve shqiptarë që të njohin se për të çuar vendin e tyre përpara, ata duhet te ulen dhe të bien dakord që të mos bien dakord në disa raste, por edhe të bien dakord ta çojnë vendin përpara. Ky është mesazhi që mund të gjeni në këto përfundime. Ky është mesazhi që i vjen Brukselit se ata duan te jenë pjesë e Evropës. Në Evropë ne kemi dialogun midis udhëheqësve politikë edhe kur disa herë nuk jemi dakord për disa çështje. Ne shpresojmë se Shqipëria do t'i bashkohet kësaj tradite sa më shpejt që të jetë e mundur"- tha ai.
Deklarata është bërë pas një konference në Bruksel, ku Bild u pyet se çfarë mendon BE për situatën në Shqipëri.
*******
Situata politike, Bosch: Dialog mes palëve dhe gjuhë më e butë
TIRANË- Kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Robert Bosch i ka bërë apel politikës për vendosjen e një dialogu të qëndrueshëm.
Në përgjigje të interesimit të medias për situatën politike të krijuar në vend, kur opozita nuk mori përgjigje për kërkesën e saj për hapjen e kutive edhe pas skadimit të afatit të përcaktuar për reflektim dhe mazhoranca në këmbim ka ashpërsuar gjuhën e akuzave, Bosch ka pranuar se dialogu mes palëve duhet të nisë në Kuvend.
Sipas tij, ka ardhur koha e një dialogu të qëndrueshëm mes palëve që duhet të zhvillohet në sallën e kuvendit dhe përpos kësaj, palët duhet të përdorin një gjuhë më të butë.
Në seminarin e zhvilluar sot ka qenë e pranishme kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ka çmuar rolin e teknologjisë në transparencën parlamentare.
"Shqipëria dixhitale është një prioritet i qartë, ndaj dhe fondet për këtë janë 5-fishuar. Këto teknologji kanë filluar të zënë vend fort në jetën politike, pasi kështu u sigurohet qytetarëve në informacion dhe transparenca përbën një nga shtyllat e demokracisë"- tha Topalli.