E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nderohet Mehmet Deralla

Në nderim dhe përkujtim të Ministrit të parë të Luftës në Qeverinë e parë të Shqipërisë të udhëhequr nga Ismail Qemali, në fshatin Gradec të Komunës së Vrapçishtit të rajonit të Gostivarit, u vendosen kurora me lule në bustin e ministrit Mehmet Pashë Deralla.

Kurora me lule vendosën zyrtarë të Qeverisë së Maqedonisë dhe Kosovës e po ashtu edhe ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni.

Para të pranishmëve foli Berat Deralla, nipi i Mehmet Derallës, i cili tha se 28 Nëntori i viti 1912, shënoi një kthesë të madhe historike për popullin shqiptar sepse u krijuan kushte të reja politike për të qenë të barabartë me popujt tjerë në Evropë.

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku tha se është një nder i veçantë për të që në emër të Shqipërisë, të vendosa një kurorë në nderim të një nga gjeneralëve më të shquar të Kombit Shqiptar, Mehmet Pashë Deralla.

Kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Bajram Kadrija në fjalimin e tij tha se kjo figurë do të nderohet si në 100 vjetor, por ashtu edhe në 100 vjetorin e ardhshëm.

Mehmet Deralla lindi më 1843 në Gradec të Gostivarit. Mehmet Deralla është regjistruar në memorjen historike, si një ndër protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878. Ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare. Mehmet Pashë Deralla ishte Ministri i Luftës në Qeverinë e Përkohshme të Shqipërisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›