Vjen Skënderbeu

Të hënën, në orën 19:30, në Kinemanë ABC në Prishtinë vjen premiera e filmit ‘Skënderbeu’. Premiera për mysafirë të ftuar është organizuar nga IPKO, DigitAlb dhe Bunker Film. Më pas, nga data 4 dhjetor, filmi në marrëveshje me KDSHF ‘Genci’, do të shfaqet për publikun në repertor të rregullt të Kinemasë ABC çdo ditë në ora 20:00. Çmimi është tri euro.
Filmi, i cili vjen në versionin HD, është një film historik mbi jetën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Gjergj Kastrioti bashkon princërit shqiptarë duke u martuar me Donikën dhe duke organizuar Lidhjen e Lezhës, por përballet edhe me tradhtinë e Hamzait, nipit të tij.
Filmi, i cili zgjat 95 minuta, ka skena masive të betejave historike dhe rrethimit të Krujës.
Regjinë e filmit e ka bërë Sergei Yutkevich, ndërsa skenarin Mikhail Papava. Në rolin e Skënderbeut luan aktori Akaki Khorava, ndërsa në rolet tjera luajnë edhe Besa Imami, Adivie Alibali etj.