E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ndërrimi i viteve me koncert në Tiranë, Luarasi: Do të ketë një mori aktivitetesh

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Festimet për natën e Vitit të Ri në Tiranë nisin në orën 22:00 dhe kulmojnë në mesnatë, në momentin e ndërrimit të viteve. Nënkryetarja e bashkisë Keti Luarasi, zbuloi disa surpriza që janë rezervuar për qytetarët e Tiranës.

“Ka një mori aktivitetesh të organizuara për të pritur natën speciale të Vitit të Ri. Nata e sotme do të kulmojë në 22:00 me DJ që kanë ardhur për të ngrohur atmosferën dhe për të ftuar të gjithë qytetarët në shesh, në 22:40 do të kemi Sardi Strugaj që do ndezë skenën fantastike për t’iu dhënë kënaqësi qytetarëve që do të festojnë festën e Vitit të Ri bashkë me ne. Në 23:10 do të kemi Ardit Çunin, 11:40 do të ndriçojmë skenën me Elgit Dodën. Kjo mbrëmje do të kulmojë me hedhjen e fishekzjarrëve. Më pas skena do të vazhdojë të ruajë entuziazmin me performancën e Xhensila Myrtezaj, në 12:40 do të kemi performancën e Three Dots. Do të vazhdojë deri në orët e para të mëngjesit me DJ”, tha Luarasi në një intervistë në media.

Nënkryetarja Luarasi thotë se i pranishëm në sheshin “Skënderbej” do të jetë edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Pa diskutim, kryetari i bashkisë e ka kthyer traditë mirëpritjen e Viti të Ri bashkë me qytetarët. Ai do të shtypë edhe pultin për spektaklin e fishekzjarrëve, si gjithmonë. Të gjithë qytetarët janë të mirëpritur”, tha ajo.

Për të garantuar sigurinë, Policia Bashkiake, Emergjencat Civile e Zjarrfikëset do të jenë në gatishmëri.

“Të gjitha forcat tona, zjarrfikëse, policia bashkie, emergjenca civile, të jenë në gatishmëri”, tha ajo.

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›