Ndërroi jetë sopranoja Nina Mula

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarë të së ndjerës, të cilët kanë saktësuar se zonja Mula vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.
Familjarët kanë njoftuar gjithashtu se homazhet në nder të sopranos do të fillojnë nga ora 11.00 të ditës së premte në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Sopranoja Nina Mula është vlerësuar me një sërë çmimesh gjatë karrierës së saj, mes të cilëve spikasin urdhri ‘Naim Frashëri’, titulli ‘Mjeshtër i Madh i Punës’ dhe ‘Artiste e Merituar’.
E lindur në Rusi, ajo u njoh në vendin e saj me artistin shqiptar Avni Mula, teksa ky i fundit ndiqte studimet në Bashkimin e atëhershëm Sovjetik.
Lidhja e tyre solli në jetë Inva Mulën, sopranoja shqiptare që me zërin e saj ka debutuar me sukses në operat më prestigjioze të të gjithë botës.