Nepalezet: Izolohen si kafshë

Mendohet se gjithçka që një nepaleze prekë gjatë kohës së ciklit mujor menstrual është e kontaminuar dhe e përlyer, dhe se nga kjo papastërti e saj duhet të mbrohen të gjithë anëtarët e tjerë të familjes. Për këtë shkak vajzat dhe gratë mbyllen nëpër ahure që janë aq të vegjël saqë ato nuk munden as të shtrihen e as të qëndrojnë në këmbë, dhe brenda të cilave ekzistojnë vetëm krevate kashte. Ndërkohë, çfarëdo komunikimi ose kontakti me pjesën tjetër të komunitetit është i ndaluar.
Nepalezja Saraswati Biswakarma (13) qëndron e ulur dhe e ulur mbi imitimin e krevatit prej kashte, ku e mbështjellë nga frika dhe të ftohtit i duhet të përjetojë ciklin e saj të parë menstrual. Në ahur ajo do të kalojë shtatë ditë e shtatë net, megjithëse do t’i duhet ta kalojë edhe nj natë tjetër shtesë, derisa të jetë mjaftueshëm “e pastër” për rrethin e saj.
"Këtu jam tash shtatë ditë, dhe më ka mbetur edhe një natë para se të mund të dalë. Këtu nuk është mirë, madje më e tmerrshmja ishte nata e parë, kur mu desh që të rrija krejt e vetmuar. Isha tejet e frikësuar”, tregon Saraswati Biswakarma për agjencinë AFP.
Izolimi i Saraswati dhe i vajzave tera si ajo është pjesë e traditës hindu. Gjatë asaj kohe grave nuk iu lejohet që të kenë kurrfarë kontakti me komunitetin, e në veçanti jo me meshkujt e fshatit, me qëllim që të mos “i infektojë ata me papastërtinë e saj”.
"Unë nuk guxoj të prek asgjë e as nuk guxoj të shkojë në shtëpinë time. Më duhet të qëndroj në ahur, ndërsa ushqimin ma sjellë nëna. Gjegjësisht, unë e pres me pjatë në dorë derisa ajo të më thërras. Po ashtu, nuk guxoj të has as produkte qumështi e as mish”, sqaron Biswakarma.
E, përveçqë nuk ka asnjë kontakt me anëtarët e familjes, Saraswati nuk guxon të ketë asnjë lloj kontakti as me bagëtinë.
Ky zakon buron nga besimi se gratë, kur kanë ciklin mujor mestuar, janë të pastra dhe se, po qe se mbesin në shtëpi, ato do të sjellin fat të keq për familjen ose do të kontaminojnë gjithçka që prekin.
Qeveria e Nepalit e ka ndaluar traditën chhaupadi qysh në vitin 2005, mirëpo përpjekjet që kjo ndalesë të realizohet edhe në praktikë ishin minimale ose kurrfare, kështu që tradita ende mbetet në fuqi.
Strehimorja në të cilën qëndron Saraswati ta çon mallin e një stalle, me dysheme të përlyer, pa dritare e xhama dhe pa ujë të pijshëm.
Në janar të vitit të kaluar dy gra u gjetën të vdekura gjatë këtij rituali. Njëra në provincën e largët Achham, pasi që temperaturat kishin rërën nën minus një gradë. Tjetra, një vajzë 15-vjeçare, kishte vdekura nga pasojat e diarresë derisa po flinte në stallë.
Chandrakala Nepali (17) po përgatitet për natën e pestë të ritualit. Prindërit e saj janë larguar drejt Mumbait qysh para dy viteve, në kërkim të punësimit, kështu që atë dhe katër vëllezërit dhe motrat e saj më të vegjël i lanë që të jetonin me kushërinj, në një zonë malore afro një orë ecje nga Achham.
"Gjatë ditës më lejohet të dalë, por vetëm sa për të mbledhur dru për nxehje”, tregon ajo.
Chandrakala qëndron në një stallë, e cila mjafton sa vajza të mund të shtrihet brenda saj.
"Për shtatë ditë nuk guxoj të jem me familjen. Ulem para shtëpisë, dhe ata ma sjellin ushqimin. Kur jam në stallë, frikësohem shumë. Ka insekte, por edhe frikësohem që ndonjë gjarpër mund të hyj aty brenda”.
Chandrakala thotë se, po qe se do të ketë vajzë ndonjëherë kurrë s’do të lejojë që ajo të kalojë nëpër ritualin chhaupadi. Megjithatë, pak gra janë të gatshme që të kundërvihen, prandaj edhe vazhdojnë me mbajtjen gjallë të ritualit, nga frika se - për shkak të bindjeve religjioze - komuniteti do të mund t’i dënojë ose lëçis.
Pashupati Kuvar (30) jeton bashkë me pesë fëmijët e saj në Budhakot, një fshat ky që shtrihet në malet e larta nepaleze. Burri i saj punon në qytetin indian Pune, dhe, edhe pse vjehrri i ka vdekur para disa viteve, ajo edhe më tej vazhdon ta respektojë ritualin chhaupadi.
Thotë se edhe vajzat e saj do ta bëjnë të njëjtën gjë.
"Disa njerëz mendojnë se ky është gabim, por nëse nuk e bëj këtë, Zoti im do të zemërohet”, thotë ajo.
Kunta Paual (45) ndërkaq e kundërshton këtë ritual.
"Komuniteti dhe prijësi i tij më kanë thënë se kjo është një gjë e rëndësishme, dhe se duhet ta bëj këtë gjë, por unë u mundova t’ua bëja me dije se tërë kjo gjë është një gabim”, shprehet ajo.
Në Ministrinë nepaleze të Arsimit shpresojnë se do të kenë sukses që ta arsimojnë popullatën nëpërmjet sistemit arsimor, veçanërisht lidhur me temat e shëndetit reproduktues dhe të higjienës menstruale.
Falë fushatave të organizatave humanitare, sikurse që është UNICEF, vërehet njëlloj përmirësimi, kështu që gjatë ritualit chhaupadi grave tashmë po iu lejohet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, edhe pse në hapësira të ndara nga anëtarët e tjerë të familjes. Edhe kjo është më mirë sesa të dëbohen jashtë shtëpisë, dhe të qëndrojnë nëpër ahure e stalla.