Ndërron jetë Artan Lame një ditë pas rënies në komë cerebrale, nëna e tij: Më premtoi që do kthehej

Ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare Artan Lame, ish-kreu i Kadastrës dhe një ndër kontribuesit e rëndësishëm në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit. Ai ndodhej në Gjermani për shkak të një ndërhyrjeje të vështirë në zemër, pas së cilës raportohet se ra në komë cerebrale. Trupi i tij pritet të mbërrijë në Shqipëri.
“Të nderuar shokë, miq dhe dashamirës.Nuk më bën dora të shkruaj për humbjen e të shtrenjtit, djalit tim të dashur Artan Lame. Po ky moment i mallkuar erdhi dhe më shoi atë shpresë që m’u ngjall dje. Shpresoja, sepse më premtoi që do kthehej, “….nuk e kam mendjen te e nesërmja (që do operohej) jam mirë, jam i qetë, por po përqendrohem te Muzeu.” Edhe nga gjumi ta zgjoje për Muzeun fliste. Kur Tanin të ma sjellin këtu do t’ju bëjmë të ditur procedurat e mëtejshme,” shkroi znj. Diana Lame, e ëma e të ndjerit, në rrjetin social Facebook.
Edhe bashkëshortja e të ndjerit ndau një mesazh virtualisht.
“Unë jam tani dhe do jem përgjithmonë! TË DUA PËRJETËSISHT ZEMËRBARDHI IM!” shkroi znj. Mirela Lame.
I lindur në Tiranë në vitin 1967, me origjinë nga fshati Qytezë i Kolonjës, një figurë e njohur në jetën publike të vendit, 58-vjeçari ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme. Ai ka shërbyer si zëvendësministër i Turizmit, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t dhe Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Po ashtu ka qenë veprimtar i shoqërisë civile për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, ndërsa ka dhënë edhe kontribut si publicist, opinionist dhe studiues i historisë shqiptare. Përveç angazhimeve shtetërore, ai njihet edhe për pasionin e tij të thellë për historinë dhe për kontributin si një nga koleksionistët më të mirë në vend.
Si publicist, në vitin 2010 ai u vlerësua me çmimin “Book of the Year” nga MIC London për librin “Medaljet Shqiptare 1914–2002″. Në vitin 2012, Lame u dekorua nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Mirënjohjes” për aktivitetet e 100-vjetorit të Pavarësisë.
/rtsh.al/