E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zbardhet dosja e SPAK për operacionin “Ura”: 29 masa sigurie, përplasja mes bosëve dhe bashkëpunimi me policinë

Në dosjen e SPAK të siguruar nga RTSH për megaoperacionin shqiptaro-italian “Ura” me vendim të GJKKO janë lëshuar 29 masa sigurie ndaj anëtarëve të këtij grupi. Mes tyre 12 janë ekzekutuar deri tani.

Emrat më të rëndësishëm janë Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës” dhe Indrit Tafili, të cilët akuzohen për trafik droge, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Elvis Doçi një nga figurat kyçe të dosjes, bashkëpunonte ngushtë me dy grupe të tjera kriminale, të drejtuara nga Adi Çoba dhe Erigels Presi.

Çoba, i cili menaxhonte trafikun në Itali dhe sillte paratë në Shqipëri kishte një lidhje të fortë me Elvis Doçin, nipin e Xhevdet Troplinit, që sipas dëshmive, si ajo e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, ishte një negociator i shkëlqyer i trafikut dhe kreu i një grupi brutal.

Përgjimet telefonike dhe ambientale zbulojnë detaje të hollësishme mbi organizimin e trafikut të heroinës dhe kokainës.Për shembull, Gertin Aliu, një anëtar kyç i grupit, shfaqet duke komunikuar në mënyrë të fshehtë për porositë, pagesat dhe transportin, duke përfshirë rrugët me traget nga Durrësi drejt Barit në Itali.

Një bisedë e përgjuar më 1 qershor 2022 tregon shqetësimet për sigurinë në grup, ku Gerti Aliu diskuton me Genci Telollarin për vonesa dhe situata të tensionuara me anëtarë të tjerë.

Një fragment tjetër nga dosja tregon përplasje mes trafikantëve, si biseda mes Pirro Çapit dhe Ervis Detit, ku shfaqet zhgënjimi dhe tensioni brenda grupit.

Pirro Çapi i thotë Ervis Detit:

“U zhgënjeva shumë sot… po do të them më shumë…”, ndërsa Ervisi përgjigjet: “Je zhgënjyer me Gesi? Këtu je i fortë, ti je kapo i madh…”

Në dosje përfshihen edhe dy punonjës policie të akuzuar për përfshirje në trafik: ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina dhe efektivi kufitar në Portin e Durrësit, Naim Beluli, të cilët sipas hetimeve kanë ndihmuar trafikantët duke ndërhyrë në hetime dhe kalime ilegale.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›