Ndërron jetë në moshën 40-vjeçare këngëtari Shpat Kasapi

Këngëtari i njohur nga Tetova, Shpat Kasapi, ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare, pasi ka pësuar një atak kardiak gjatë qëndrimit të tij në Itali. Artisti nuk arriti t’i mbijetonte sulmit në zemër.
Për ndarjen nga jeta të këngëtarit ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i cili ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen, për ndarjen nga jeta të këngëtarit.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi. Ikja e tij e papritur ka lënë një boshllëk të madh te familja, miqtë dhe të gjithë ata që e vlerësonin artin e tij. Shpati la pas një trashëgimi të çmuar artistike dhe kujtime që do të mbeten gjatë në zemrat e publikut. Muzika e tij është një vlerë që nuk shuhet. Në këtë ditë të rëndë, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Kasapi, të afërmve dhe gjithë komunitetit artistik. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij, dhe u prehtë në paqe”, shkruan Mexhiti.
Shpat Kasapi, i lindur më 1 maj 1985, u rrit në një familje me traditë muzikore dhe shumë shpejt u shndërrua në një nga emrat më të dashur të skenës shqiptare.
Karriera e tij nisi në fillim të viteve 2000, ku falë stilit modern, melodive të lehta dhe performancave energjike, ai u bë një prej idhujve të rinisë.
/rtsh.al/