Ndërron jetë në moshën 87-vjeçare nobelisti shqiptaro-amerikan, Ferid Murad

Nobelisti shqiptaro-amerikan, Ferid Murad, i cili njihet si shpikësi i Viagra-s ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, teksa shkruan “u trishtova thellë nga lajmi i vdekjes së nobelistit shqiptar dhe mikut tonë Ferid Murat. Kujtimi dhe vepra e tij do të jenë përjetësisht shenja krenarie për Gostivarin dhe për të gjithë botën. I qoftë dheu i lehtë këtij burri të mençur! Ngushëllime të ndjera familjes së tij!”
Ferid Murad lindi më 14 shtator 1936 në Indiana të SHBA-ve.
Prindërit e tij ishin Henrieta Bouman (Henrietta Josephine Bowman) nga Ilinoisi dhe Xhabir Murat Ejupi, emigrant shqiptar nga Gostivari.
Ferid Murad ishte mjek dhe farmakolog, ndërsa në vitin 1998 fitoi Çmimin Nobel në Fiziologji dhe Mjekësi për zbulimin se oksidi nitrik vepron si një molekulë sinjalizuese në sistemin kardiovaskular.
Me kolegët e tij ai zbuloi mekanizmin e ri për mënyrën se si enët e gjakut në trup relaksohen dhe zgjerohen.
Në vitin 2015, Murad nënshkroi Deklaratën e Majnaut mbi Ndryshimet Klimatike bashkë me 75 laureatë të tjerë dhe iu dorëzua Presidentit të atëhershëm të Francës, François Hollande, si pjesë e samitit të suksesshëm të klimës COP21 në Paris.
Në vitin 1977, Murad tregoi se nitroglicerina dhe disa ilaçe të lidhura me zemrën nxisin formimin e oksidit nitrik dhe se gazi pa ngjyrë dhe pa erë vepron për të rritur diametrin e enëve të gjakut në trup.
Rreth vitit 1980, Robert F. Furchgott demonstroi se qelizat e enëve të gjakut prodhojnë një molekulë të panjohur sinjalizuese, të cilën ai e quajti faktor relaksues me prejardhje nga endoteli (EDRF).
Kjo molekulë sinjalizon qelizat e muskujve të lëmuar në muret e enëve të gjakut për t’u çlodhur, duke i zgjeruar ato.
Hulumtimi i Ignarro, i kryer në 1986 dhe i bërë në mënyrë të pavarur nga puna e Furchgott, e identifikoi EDRF si oksid nitrik. Këto zbulime çuan në zhvillimin e ilaçit kundër impotencës sildenafil citrate (Viagra) dhe kishin potencialin për të zhbllokuar qasje të reja për të kuptuar dhe trajtuar sëmundje të tjera.
Përveç Nobelit, Murad ka fituar edhe Çmimin “Albert Lasker Basic Research Medical Auard” në vitin 1996.
/rtsh.al/