E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndërtim pa leje në Voskopojë, arrestohet administratori, procedohen punonjës të IMT-së dhe 3 zyrtarë të policisë

Policia e Korçës ka arrestuar sot në flagrancë shtetasin I. K., 63 vjeç, administrator i një subjekti privat, nën dyshimin se ka kryer ndërtime pa leje në aksin rrugor Korçë–Voskopojë. Sipas njoftimit të policisë, I. K. kishte ndërtuar disa bazamente betoni me qëllim ngritjen e godinave, pa patur dokumentacionin e nevojshëm ligjor.

Paralelisht me arrestimin, janë proceduar penalisht edhe dy punonjës të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IMT) pranë Bashkisë Korçë: I. L., 54 vjeç, Kryeinspektor, dhe E. K., 36 vjeç, Inspektor. Ata dyshohen për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë kryer kontrollet e nevojshme dhe nuk kanë njoftuar Policinë në kohën e duhur për ndërtimet e paligjshme.

Në vijim të veprimeve, Policia ka marrë masa edhe ndaj punonjësve të saj. Janë pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre ka nisur një procedurë disiplinore për inspektorin A. B., ndihmësspecialist i rendit (SPZ), dhe nënkomisarin E. P., Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë. Njëkohësisht, një ecuri e ngjashme disiplinore ka nisur edhe për nënkomisarin P. B., koordinator i ndihmësspecialistëve të rendit në zonë.

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit po vijon një hetim të thelluar disiplinor mbi këtë rast.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë i ka bërë thirrje publike qytetarëve që të mos ndërmarrin ndërtime pa leje dhe administratorëve apo pronarëve të bizneseve që të mos zënë në mënyrë të paligjshme hapësirat publike, duke theksuar se do të përballen me ligjin në rast të shkeljeve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›