E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimet mbushin arkat e bashkive, Tirana kryeson me 12.4 miliardë lekë në 6 muajtë e parë të 2026

Ndërtimet e reja po sjellin më shumë të ardhura në buxhetet e bashkive, me Tiranën që kryeson ndjeshëm në arkëtimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, të ardhurat nga kjo taksë shënuan një rritje prej 12.2 miliardë lekësh krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në total, bashkitë arkëtuan rreth 18.3 miliardë lekë nga ky zë.

Bashkia e Tiranës kryeson listën, me 12.4 miliardë lekë të ardhura, rreth 9.8 miliardë lekë më shumë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025. Kjo do të thotë se kryeqyteti gjeneron 67.7 për qind të të ardhurave kombëtare nga kjo taksë.

Pas Tiranës renditet Himara, me 1.2 miliardë lekë, e ndjekur nga Saranda, Durrësi, Shkodra, Lezha dhe Kavaja.

Rritja e ndjeshme e arkëtimeve lidhet edhe me faktin se gjatë vitit 2025, të ardhurat nga kjo taksë nuk përmbushën parashikimet, veçanërisht në Tiranë. Kjo situatë mund të ketë ardhur si pasojë e ngadalësimit të përkohshëm të procesit të ndërtimit, dhënies së lejeve apo procedurave të aplikimit.

Ndërkohë, përmirësimi i treguesve në vitin 2026 vlerësohet se lidhet me miratimin e lejeve të ndërtimit të mbartura dhe realizimin e pagesave përkatëse, në një sektor që vijon të mbetet ndër më aktivët e ekonomisë shqiptare.

Gazetar: H. Mahmutaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›