Ndërtimet pa leje, Agjencia e Mjedisit akuzon Ndërtimorët

Ndërtimi pranë qendrës shëndetësore në Shkozet
DURRES – Agjencia Rajonale e Mjedisit akuzon drejtpërdrejt Inspektoratin Ndërtimor pranë Bashkisë së Durrësit për ndërtimet pa leje në qytet. Fenomeni çdo ditë e në rritje, pasi ka pushtuar periferinë dhe zonat rreth qytetit, tashmë u është drejtuar vendeve publike dhe lulishteve të qytetit, madje, zaptimit të lulishteve nga ndërtime pa leje është kthyer në një problem madhor në Durrës. Një ndërtim pa leje ka nisur të ngrihet së fundmi, në zonën e Shkozetit mbi një sipërfaqe toke, e cila vetëm para pak ditësh shërbente si lulishte publike. Inspektorë të Drejtorisë së Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Durrës pohojnë se nga ana e tyre është kërkuar pezullimi i menjëhershëm i punimeve, pasi subjekti nuk është i pajisur me leje mjedisore e ndërtimore. Për rastin në fjalë, inspektori i Mjedisit në Durrës, Servet Boriçi, tha se institucioni që ai përfaqëson u kanë dërguar procesverbale të njëpasnjëshme në bashki e inspektorate ndërtimore për rastin në fjalë, por që nuk kanë marrë asnjë përgjigje. “Inspektorati Ndërtimor pranë Bashkisë së Durrësit, i cili është edhe institucioni përgjegjës për degradimin e situatës, nuk punon dhe shkel haptazi ligjin, duke qëndruar indiferent ndaj ankesave që u kemi bërë herë pas here, për ndërhyrje në objekte të ndryshme që po ndërtohen pa leje në qytetin e Durrësit dhe rrethinave të tij. Një ndërtim pa leje ka nisur të ngrihet ditët e fundit në zonën e Shkozetit në një sipërfaqe toke që pak ditë më parë shërbente si lulishte publike. Por, abuzimi shkon më tej, pasi ndërtimi po ngrihet ngjitur me hyrjen e qendrës shëndetësore, duke shkelur çdo ligj urbanistik. Kemi dërguar procesverbale të njëpasnjëshme, ku i kemi kërkuar Inspektoratit Ndërtimor pranë Bashkisë të ndërhyjë për pezullimin e punimeve, por ankesat kanë rënë në vesh të shurdhët, ndërsa punimet vijojnë, duke shpërfillur haptazi institucionet shtetërore”, pohoi Servet Boriçi, inspektor mjedisi pranë ARM-së në Durrës. Zonat më të prekura, ku ndërtimet pa leje nuk kanë të ndalur, janë zonat periferike si: Shkozeti, Plazhi, Spitalla e ish-Këneta. Në këto zona ndërtohet përditë e më shumë, duke mos respektuar dhe zbatuar asnjë lloj kriteri. Ndërkohë, burime nga Inspektorati i Ndërtimit në Durrës thanë se shumë shpejt në këto zona do të ushtrohen kontrolle të njëpasnjëshme, duke ndëshkuar këdo që shkel ligjin, duke ndërtuar pa leje. l.m