Ndërtimet pa leje, Prokuroria e Sarandës lëshon 11 masa sigurie

TIRANË, 25 maj/ATSH/ Prokuroria e Sarandës ka firmosur 11 masa sigurie në kuadër të një hetimi mbi ndërtimet pa leje në zonën e Sarandës dhe Ksamilit, ku të përfshirë janë efektivë policie, biznesmenë dhe zyrtarë lokalë.
Operacioni po zhvillohet nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, ndërsa kontrollet janë ushtruar në disa banesa dhe ambiente biznesi.
Sipas medieve, mes personave të arrestuar janë Kristofor Shkrepa, specialist policie në Ksamil, efektivi Kastriot Satka, si dhe biznesmeni Alqi Papa, pronar i një hoteli. Në këtë hotel, Prokuroria ka sekuestruar një kat të dyshuar si ndërtim pa leje, i ngritur mbi tarracën e godinës 6-katëshe në rrugën “Butrinti”, në lagjen nr.1 të Sarandës.
Ndërkohë, masa sigurie janë lëshuar edhe për efektivin e policisë Irakli Koçiaj, kryeinspektorin e IMT-së Eduart Veli, si dhe për Arjola Dhramin dhe Xhaferr Bajon, pronarë të një bari në Ksamil.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rolin dhe përgjegjësitë e secilit prej personave të përfshirë në këtë çështje që lidhet me ndërtimet e paligjshme në zonat turistike të jugut të vendit.
/e.i/r.e/ /a.g/