Ndërtimi i xhamisë, Rama prezanton 5 studiot projektuese
Kryetari i bashkisë së Tiranës ka prezantuar sot 5 studiot të cilat kanë kaluar fazën e dytë të konkursit ndërkombëtar të shpallur nga Bashkia e Tiranës për xhaminë dhe muzeun e bashkëjetesës fetare për kryeqytetin.
Në fjalën e tij kreu i bashkisë Rama theksoi se shpallja e fituesit të projektit për ndërtimin e xhamisë së Tiranës nuk ka lidhje me fushatën elektorale.
“Duke qenë se ky konkurs zhvillohet në një periudhë që është në një periudhë elektorale, unë nuk do të zgjatem në fjalën time, përveçse të bëjë një prezantim të pjesëmarrësve dhe më pas le t’ua lëmë arkitekteve të flasin me idetë e tyre”, tha Rama.
Ai u shpreh se kjo është një ngjarje e rrallë për qytetin dhe ka një rëndësi jo vetëm për besimtarët, por edhe për vet qytetin dhe zhvillimin e tij.
Sipas Ramës konkursi për xhaminë është zhvilluar në dy etapa ku në fazën e parë kanë aplikuar plot 100 studio nga 28 vende të ndryshme të botës, por juria ka përzgjedhur vetëm 5 prej tyre.
Ndërkohë studiot që janë pjesëmarrëse në këtë garë janë: Andreas Perea Ortega - Madrid, Spanjë; Architecture Studio - Paris, Francë; BIG - Kopenhagen, Danimarkë; Search - Amsterdam, Holandë; Zaha Hadid Architects - Londër, Britani e Madhe.
Sipërfaqja për xhaminë është 2.500 m2, ndërsa sipërfaqja për muzeun është 1650 m2.
Projektet e 5 studiove do të vlerësohen nga një juri ndërkombëtare ndërsa sot pritet të shpallet edhe studioja fituese për ndërtimin e xhamisë dhe muzeun e bashkëjetesës fetare për Tiranën.