“Ndërtoni një botë më njerëzore!” Gati një milion të rinj katolikë presin Papa Leonin për festivalin e Vitit të Shenjtë

Qindra mijëra të rinj katolikë zbritën të shtunën në Romë me rastin e Jubileut Rinor, që nisi të martën në mbrëmje me një meshë nga Papa Leoni në Sheshin e Shën Pjetrit.
Vigjilja e natës së kësaj të shtune i parapriu meshës që papa ka planifikuar për të dielën. Kjo fundjavë shënon takimin e parë të Atit të Shenjtë me brezin tjetër të katolikëve. Organizatorët e aktivitetit raportuan se gati një milion pjesëmarrës erdhën nga 146 shtete të botës dhe 68 për qind prej tyre nga Europa, sikurse të tjera nga vendet në konflikt, si Libani, Iraku, Mianmari, Ukraina, Siria dhe Sudani i Jugut.
Festimet e së shtunës kulmuan në fushën e Tor Vergatës, në lindje të Romës. Pelegrinët do e kalojnë këtu natën duke pritur meshën e mëngjesit.
“Duke kërkuar me pasion të vërtetën, ne jo vetëm marrin një kulturë, por e transformojmë përmes zgjedhjeve që bëjmë në jetë. E vërteta, në fakt, është një lidhje që bashkon fjalët me gjërat, emrat me fytyrat. E gënjeshtërta, nga ana tjetër, e shkel këtë aspekt, duke krijuar hutim dhe mëdyshje,” deklaroi Papa Leoni në nisje të lutjes me Jubileun Rinor, me t’u ulur me helikopter dhe pas një xhiroje me makinën e tij.
Ligjërata e Atit të Shenjtë u fokusua në tematika të ndryshme. Ndër to ishte edhe një pyetje e të rinjve për botën teknoligjike: internetin.
“Interneti dhe mediet janë bërë një mundësi e jashtëzakonshme për dialog, takime dhe shkëmbime mes personave, përveçse na japin akses në informacion dhe dije. Këto instrumente, ama, po rezultojnë të paqarta kur dominohen nga logjika komerciale dhe nga interesa që i thyejnë raportet tona në mijëra pjesë të shkëputura. Atëherë marrëdhëniet tona bëhen konfuze, të paqëndrueshme. Kur instrumenti dominon mbi njeriun, njeriu bëhet një instrument: po, instrument tregu, mall. Vetëm raportet e sinqerta dhe lidhjet e qëndrueshme bëjnë që të kemi histori të mira jete. Siç e dini, sot kemi algoritmet që na thonë çfarë të bëjmë, çfarë duhet të mendojmë,” nënvizoi Papa Leoni.
Kreu i Kishës Katolike u kërkoi të rinjve të punojnë për një botë më të drejtë.
“Kërkoni drejtësinë, duke rinovuar mënyrën e të jetuarit, për të ndërtuar një botë më njerëzore. Shërbehuni të varfërve, duke dëshmuar të mirën që duam të marrim gjithmonë nga tjetri. Studioni, punoni, dashuroni sipas stilit të Jezusit,” shtoi Papa Leoni.
Ai bëri thirrje për miqësinë “që mund ta ndryshojë botën dhe mund të jetë rruga drejt paqes”, si dhe për rrugën se si të rinjtë të mund të gjejnë lumturinë. Si një prej tyre, ai veçoi martesën.
“Ka disa zgjedhje radikale dhe plot domethënie: martesa, urdhri i shenjtë dhe shenjtërimi fetar shprehin dhuratën e vetvetes, të lirë dhe çliruese, gjë që na bën vërtet të lumtur. Këto zgjedhje i japin kuptim jetës sonë, duke e shndërruar atë në imazhin e Dashurisë së përsosur, e cila e krijoi dhe e shpengoi nga çdo e keqe. Ne gjejmë lumturinë kur japim veten, japim jetën tonë për të tjerët,” tha Ati i Shenjtë.
Jubileu Rinor u mbajt këto ditë mes temperaturave 30 gradë Celsius, ndërsa organizatorët kishin marrë masa duke i spërkatur herë pas herë të rinjtë me ujë nëpërmjet makinerive të instaluara në zonë. Disa prej tyre pritën me orë të tëra për të rrëfyer mëkatet te një mijë priftërinj të dedikuar për këtë event, që kryenin ritualin fetar në disa gjuhë të ndryshme.
Pelegrinëve u është siguruar strehimi dhe vakti i mëngjesit nga rreth një mijë vende kishtare, shkolla dhe familje, përveç hotelit të madh familjar që do të presë rreth 25 mijë prej tyre në Fiera di Roma. /Ansa
/rtsh.al/