E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuan lokal pa leje në Karaburun, në pranga njëri prej ndërtuesve, shpallet në kërkim ortaku. Më herët IKMT u prishi objektin

Aksioni i IKMT-së në Karaburun për prishjen e një ndërtimi pa leje ka vijuar edhe me ndjekjen penale të personave përgjegjës për objektin. Një prej tyre është arrestuar, ndërsa ortaku është shpallur në kërkim.

Në kuadër të këtij operacioni, Policia e Shtetit ka arrestuar një prej personave të përfshirë në ndërtimin e objektit, shtetasin S. Dinaj, ndërsa ortaku i tij, O. Sherifaj., është shpallur në kërkim.

Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë dhe strukturat e Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë Vlorë, ndërhyri sot në zonën e Shën Janit, në Karaburun, për të përfunduar prishjen e një objekti pa leje, në funksion të një “beach bar”.

Sipas IKMT-së, gjatë kontrolleve është konstatuar se subjekti O. Sherifaj kishte ndërtuar struktura të përkohshme, pedana dhe pasazhe prej druri, të vendosura mbi trarë mbajtës të fiksuar në formacione shkëmbore.

Ndërtimi, me një sipërfaqe totale prej 950.18 metrash katrorë, ishte realizuar pa dokumentacionin e kërkuar ligjor, në një zonë të mbrojtur dhe në vijën bregdetare.

Për këtë rast, IKMT kishte vendosur më herët masën administrative të gjobës, si dhe urdhrin për prishjen e objektit. Pas komunikimit të vendimit, subjekti kishte nisur çmontimin dhe ishte dakordësuar për një afat për prishjen vullnetare të strukturës.

Megjithatë, pas konsumimit edhe të procedurës së ankimit pranë Inspektoratit të Përgjithshëm, i cili la në fuqi masat e marra nga IKMT, inspektorati u rikthye sot në terren për përfundimin e prishjes së plotë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe Kryeinspektori i IKMT-së, Afrim Qendro, ishin të pranishëm gjatë aksionit, duke përcjellë mesazhin se ndërtimet pa leje, veçanërisht në zona të mbrojtura dhe në vijën bregdetare, do të përballen me masat ligjore.

Ndërkohë, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë vijon veprimet hetimore për të nxjerrë para përgjegjësisë edhe persona të tjerë që mund të kenë lejuar ose favorizuar ndërtime në kundërshtim me ligjin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›