Ndezi zjarr në tokën e tij, arrestohet 65-vjeçari në Berat

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat bënë të mundur ndalimin e shtetasit V. R., 65 vjeç, banues në fshatin Rabijak, i cili dyshohet se ditën e djeshme ka ndezur zjarr në një sipërfaqe toke në pronësi të tij.
Flakët dolën jashtë kontrollit dhe rrezikuan banesa si dhe toka të mbjella me pemë frutore.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat përsërit apelin për të gjithë qytetarët që të shmangin ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura, veprim i cili jo vetëm që përbën rrezik serioz për jetën dhe pronën, por është i dënueshëm sipas ligjit.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë menjëherë çdo rast zjarrvënieje apo veprimtarie të paligjshme, duke telefonuar në numrin pa pagesë 112.
Garantohen anonimat i plotë dhe reagim i shpejtë dhe profesional nga strukturat përkatëse.