E Martë, 3 Nëntor 2026

PD denoncon ndërtimin pa leje te “5 Maji” në Tiranë

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Partia Demokratike reagoi sot lidhur e një denoncim të bërë nga disa qytetarë për ndërtim pa leje në zonë e “5 Majit” në Tiranë.

Në një deklaratë për medie, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli bëri të ditur se sipas informacioneve të tyre, objekti ndodhet në rrugën “Dervish Luzha”, pranë mbikalimit që të nxjerr në rrugën “5 Maji”.

“Pamjet e siguruara nga banorët tregojnë qartë ndërtimin e paligjshëm. Ata shprehen se kanë njoftuar disa herë Policinë e Shtetit, por nuk ka pasur asnjë reagim. E njëjta situatë përsëritet edhe me strukturat kryesore inspektuese në nivel kombëtar për evidentimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, të cilave u është bërë me dije shkelja, por pa asnjë ndërhyrje nga ana e tyre”, shtoi Vangjeli.

Duke iu referuar denoncimit të qytetarëve, Vangjeli tha se “zyrtarë të shtetit marrin pagesa të përsëritura nga pronarët e biznesit që ushtron aktivitet në këtë objekt, dhe në këmbim, shkelja e ligjit injorohet”.

“Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë dhe të gjitha organeve ligjzbatuese që të verifikojnë situatën dhe veprojnë menjëherë, në mënyrë që të ndalohen abuzimet dhe ligji të zbatohet njësoj për të gjithë, pa mbrojtje për shkelësit”, shtoi ajo.

/m.m/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›