Ndihma juridike falas në Shkodër, rritet numri i qytetarëve që kërkojnë asistencë ligjore pa pagesë

Gjithnjë e më shumë qytetarë në Shkodër po i drejtohen shërbimit të ndihmës juridike falas për të marrë këshillim dhe asistencë ligjore. Ky shërbim, i garantuar nga shteti, u vjen në ndihmë veçanërisht personave në vështirësi ekonomike dhe kategorive të tjera që plotësojnë kriteret ligjore.
“Statistikat tregojnë rritjen e numrit të personave që i drejtohen qendrës për të përfituar ndihmë juridike. Nëse për vitin 2025 janë regjistruar 277 raste, aktualisht, për periudhën janar-tetor, bëhet fjalë për 341 raste të personave që i janë drejtuar qendrës dhe kanë përfituar ndihmë juridike parësore ose dytësore”, u shpreh Xhevahire Halaj, juriste.
Janë disa problematika për të cilat qytetarët kërkojnë më shpesh ndihmë juridike.
“Pakënaqësitë lidhen me rastet e lidhjes së pensionit, kur nuk njihen vitet e punës, siç pretendojnë qytetarët, ose kur nuk është caktuar masa e duhur e pensionit në raport me vitet e punës. Ne i asistojmë qytetarët në rishqyrtimin e pensionit dhe në ankimimet, duke i orientuar drejt ndjekjes së rrugës administrative të ankimit. Kjo përfshin ankimin në komisionin rajonal pranë Drejtorisë Rajonale të Shkodrës, si dhe ankimin në Komisionin Qendror pranë ISSH-së në Tiranë”, tha Antoneta Koca, juriste.
Mes kategorive përfituese janë viktimat e dhunës në familje, personat me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e skemave të mbrojtjes sociale. Rritja e kërkesave në Shkodër evidenton rëndësinë e këtij shërbimi, ndërsa informimi i qytetarëve mbetet thelbësor për të siguruar aksesin në drejtësi.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/