“Ndihma në funksion të fushatës”, Bashkia Librazhd përgënjeshtron lajmin: Iniciativë humanitare për familjet në nevojë

TIRANË, 15 shkurt/ATSH/ Bashkia e Librazhdit përgënjeshtroi sot pretendimet për shpërndarjen e ndihmave në funksion të fushatës zgjedhore.
Në lidhje me lajmet e shpërndara më 14 shkurt 2025, që pretendojnë se në një shkollë publike në Librazhd janë shpërndarë ndihma me qëllime politike, bashkia e Librazhdit sqaroi se ndihmat e shpërndara janë pjesë e “Projektit Emergjent” të organizuar nga Shoqata Qatar Charity, një iniciativë humanitare që ndihmon familjet në nevojë dhe jetimët në zona të ndryshme të Shqipërisë.
Bashkia informon se ky projekt realizohet sipas kërkesave të bashkive, bazuar në problematikat sociale të identifikuara në territorin e tyre.
“Bashkia Librazhd ka nënshkruar një marrëveshje zyrtare me Shoqatën ‘Qatar Charity’, duke garantuar që ndihmat shpërndahen në mënyrë të rregullt dhe transparente. Ky aktivitet është deklaruar dhe regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në përputhje me të gjitha rregullat ligjore. Për më tepër, ndihmat shpërndahen në bazë të një Kontrate Dhurimi të nënshkruar mes Bashkisë dhe Shoqatës, listat e përfituesve përpilohen nga bashkia dhe shpërndarja monitorohet nga Shoqata donatore, duke siguruar që ndihmat të mos përdoren për arsye politike”, thuhet në njoftimin e bashkisë.
Në lidhje me ambientin e përdorur për shpërndarjen e ndihmave, bashkia Librazhd sqaron se palestra e shkollës është pronë e bashkisë Librazhd dhe është përdorur pas orarit mësimor, pa cenuar procesin arsimor apo funksionin e institucionit.
“Ftojmë qytetarët dhe mediet të informohen nga burime të verifikuara dhe të mos bien pre e keqinformimit. Bashkia Librazhd mbetet e angazhuar në ofrimin e ndihmës për familjet në nevojë, gjithmonë në përputhje me ligjin dhe transparencën institucionale”, thuhet në njoftimin për shtyp.
/m.m/r.e/