Ndihma për Ukrainën, Biden njofton pakon e re prej 8 miliardë dollarësh

Duke njoftuar për një paketë të re mbështetëse për Urkainën, presidenti amerikan Joe Biden tha se kishte ftuar udhëheqësit e më shumë se 50 shteteve në një takim të nivelit të lartë për Ukrainën, në Gjermani në muajin tetor.
“Do të thërras një takim të nivelit të lartë të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, tha presidenti Biden në një deklaratë – teksa njoftoi paketën e re të ndihmës me vlerë rreth 8 miliardë dollarë për Ukrainën. Paketa përfshin një sistem tjetër të mbrojtjes ajrore “Patriot”, bomba me rreze të gjatë dhe drone.
Zelensky falënderoi SHBA-në për ndihmën, duke postuar në Telegram se vendi i tij do ta përdorte mbështetjen në mënyrën më efikase dhe transparente të mundshme, ndërsa pranoi ndihmën si nga republikanët ashtu edhe nga demokratët. Ai vlerësoi gjithashtu programin e trajnimit për pilotët ukrainas në avionët luftarakë F-16.
Zelensky tha se sanksionet e reja të vendosura, të cilat dëmtojnë aftësinë e Rusisë për të financuar luftën kundër Ukrainës, ishin gjithashtu të rëndësishme. Ndërkohë një ditë më parë presidenti rus Vladimir Putin, deklaroi se vendi i tij do të konsideronte përdorimin e armëve bërthamore nëse do të sulmohej nga ndonjë shtet me armë konvencionale. “Rusia do ta konsideronte një sulm nga një shtet jo-bërthamor, i mbështetur nga një shtet me armë bërthamore, si një sulm të përbashkët’, tha kreu i Kremlinit.
/RTSH/