Scholz: Konflikti Izrael-Hezbollah mund të përvëlojë gjithë Lindjen e Mesme

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka paralajmëruar se konflikti Izrael-Hezbollah mund të përvëlojë gjithë Lindjen e Mesme. Scholz e bëri këtë deklaratë pas bisedimeve me ish-ministrin vizitues të kabinetit të luftës, Benny Gantz, i cili shërbeu si pjesë e kabinetit të luftës të kryeministrit Benjamin Netanjahu deri në qershor, kur ai dha dorëheqjen në shenjë proteste për mungesën e një plani të pasluftës për Gazën.
Gjatë një vizite në Berlin, Gantz u takua gjithashtu edhe me presidentin gjerman Frank-Ëalter Steinmeier dhe zyrtarë të tjerë për të diskutuar luftën me dy fronte të Izraelit kundër Hamasit në Gazë dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani në Liban.
Nga ana e tij, Scholz shkroi në X se “Hezbollahu duhet të tërhiqet nga zona kufitare e Libanit” dhe se “të gjitha palët kanë përgjegjësinë për të gjetur një zgjidhje diplomatike”.
Udhëheqësi gjerman, i cili foli dje me kryeministrin libanez Najib Mikati, tha gjithashtu se: “Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut nuk duhet të bëhet një zjarr rajonal”. Ndërsa shtoi se “Irani ka një përgjegjësi për të de-përshkallëzuar situatën” dhe se nevojiten hapa urgjentë drejt një armëpushimi në Gazë dhe lirimit të pengjeve izraelitë.
Gjermania i është bashkuar një grupi kombesh që kanë bërë thirrje “për një armëpushim të menjëhershëm 21-ditor përtej kufirit Liban-Izrael”.
/rtsh.al/