Ndihma shtetërore, Autoriteti i Konkurrencës merr përgjegjësinë për kontrollin

TIRANË, 6 tetor/ATSH/ Kontrolli mbi ndihmën shtetërore pritet të forcohet përmes një kuadri të ri ligjor, që i jep Autoritetit të Konkurrencës përgjegjësinë për kontrollin e skemave dhe ndihmave individuale, duke synuar më shumë transparencë, pavarësi dhe përafrim me rregullat e Bashkimit Evropian.
Ndryshimet e propozuara në ligjin “Për ndihmën shtetërore” parashikojnë që Komisioni i Konkurrencës të marrë vendimet për autorizimin e skemave të ndihmës, vlerësimin e përputhshmërisë së tyre dhe, kur është e nevojshme, pezullimin, ndryshimin ose rikuperimin e ndihmës së paligjshme apo të papajtueshme.
Një nga risitë kryesore është forcimi i pavarësisë institucionale. Sipas projektligjit, Autoriteti i Konkurrencës, Komisioni i Konkurrencës dhe struktura përgjegjëse për ndihmën shtetërore nuk do të marrin udhëzime nga Këshilli i Ministrave, ministritë, institucionet që japin ndihmën apo subjekte të tjera publike dhe private gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre.
Struktura e posaçme pranë Autoritetit të Konkurrencës do të ketë përgjegjësi për shqyrtimin e njoftimeve, monitorimin e skemave, zhvillimin e hetimeve, administrimin e regjistrit të ndihmës shtetërore dhe përgatitjen e vendimeve e raporteve përkatëse.
Kuadri i ri përfshin të gjithë sektorët e prodhimit dhe shërbimeve, përfshirë bujqësinë dhe peshkimin, duke krijuar rregulla të njëjta për kontrollin e mbështetjes publike.
Projektligji parashikon gjithashtu që brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi të ndërmerren masat për transferimin e funksioneve, dokumentacionit, arkivave dhe bazave të të dhënave nga strukturat aktuale te Autoriteti i Konkurrencës.
Në zbatim të kuadrit të ri, aktet përkatëse do të përafrohen me acquis të Bashkimit Evropian dhe me detyrimet që burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria.
Ndryshimet synojnë të krijojnë një sistem më të qartë dhe të kontrollueshëm të ndihmës shtetërore, duke garantuar përdorim më transparent të mbështetjes publike dhe një kuadër më të përafruar me standardet evropiane.
/e.xh/j.p/