Ndihma ushtarake për Ukrainën, Zelenski takohet sot me Presidentin Bajden

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelenskiy) do të takohet këtë të martë (12 dhjetor) me homologun amerikan Xho Bajden (Joe Biden), si dhe me senatorët amerikanë dhe kryetarin republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, në një kohë kur Kongresi po pengon mbështetjen e ardhshme financiare të SHBA për përpjekjet e luftës së Kievit.
Ndërkohë presidenti ukrainas ka zhvilluar një takim me përfaqësues të grupeve të ekspertëve amerikanë në Uashington për të diskutuar mënyrat për të ruajtur mbështetjen dhe vëmendjen amerikane ndaj Ukrainës në mes të krizave të tjera globale.
“Unë u tregova atyre për përfitimet e arritura nga ushtarët tanë duke përdorur ndihmën ushtarake të SHBA, për sukseset tona në Detin e Zi,” tha ai. “Falë veprimeve të ushtarëve ukrainas dhe me ndihmën e partnerëve, agresori duhet të gjendet në një pozitë shumë të vështirë”.
Ai falënderoi “të gjithë ata që mbështesin shtetin dhe popullin tonë në luftën për liri dhe pavarësi”.
/rtsh.al/