Ndihmë financiare për ekselentët, studentët e Mjekësisë tregojnë sfidat dhe ambiciet për shkollën

Për të rinjtë me rezultate të larta, mjekësia vijon të mbetet një nga degët më të kërkuara dhe më sfiduese. Për Arsën, dëshira për mjekësinë lindi që në fëmijëri.
“Dëshira për mjekësinë ka lindur që në fëmijëri. Ka qenë gjyshja ime e para, pasi ka punuar farmaciste për një periudhë shumë të gjatë. Duke parë përparëset e bardha dhe duke qëndruar shpesh në farmacinë e nënës, lindi edhe tek unë ajo dëshirë për ta vazhduar këtë rrugë”, Arsa Hidri, studente e Mjekësisë
Një zgjedhje që nuk u prit me entuziazëm nga familja, për shkak të rrugëtimit të gjatë në studime, por vendosmëria e saj bëri që të jetë pjesë e studentëve ekselentë.
“Për ruajtjen e rezultateve nuk mund të them që ka qenë diçka e vështirë. Kur ke disiplinë dhe një mënyrë të organizuar pune, e konsideron si detyrë që duhet ta përfundosh. Sigurisht që vitet në vazhdim do të jenë më sfiduese, por është një përpjekje që ia vlen’, shtoi Hidri.
Dini Lico, është një tjetër student i Mjekësisë, i cili ekselencën e nisi që në klasën e nëntë duke marrë një numër të lartë certifikatash dhe medalje ari.
“Në ekselencën e fitojmë që në klasën e nëntë me certifikata për rezultate të larta e më pas me medalje ari. Lodhja është e padiskutueshme, sepse duhet të gjesh balancë mes jetës sociale dhe shkollës. Për ta fituar Mjekësinë probabiliteti është i vogël, duhet mesatare mbi 9.5 nga viti në vit dhe frekuentim maksimal”, Dini Lico, student i Mjekësisë
Pavarësisht tundimit për të vazhduar jashtë vendit, ata kanë vendosur ta ndërtojnë karrierën në Shqipëri,ndërsa familja është pika kryesore që I mban. Megjithatë, sipas Arsës, sistemi ka ende nevojë për përmirësime.
“Diçka që mendoj se është mangësi për Shqipërinë është zhvillimi i infrastrukturës në spitale dhe klinika në të gjithë vendin. Në Tiranë ka më shumë zhvillim, por në rrethe dhe qytete të tjera niveli nuk është i njëjtë”, theksoi Arsa Hidri
Mbështetja financiare për studentët ekselentë dhe programet prioritare ka pësuar rritje. Në këtë vit akademik, 444 studentë përfitojnë nga kjo mbështetje, me një pagesë mujore, 50 mijë lekë. Nga këta, 166 janë studentë ekselentë, ndërsa 278 ndjekin programe prioritare./vizionplus.tv