Ndihmësmjeku, plumb ballit njeriut që e pengonte të punonte
Kukës
Naim Bytyçi, në gjendje kome. Qamil Kastrati e qëlloi pasi kishin pirë kafe bashkë
Vetëm një ditë pas ngjarjes tronditëse të ndodhur në fshatrat e Hasit, ku vëllai vrau vëllain, një tjetër ngjarje e rëndë, këtë herë e ndodhur në qytetin e Kukësit, ka tronditur opinionin. Protagonistë janë përsëri dy banorë të Hasit. 48-vjeçari Naim Bytyçi nga fshati Myç-Has i Komunës Gjinaj është plagosur me pistoletë me një plumb në kokë nga shtetasi Qamil Kastrati, 48 vjeç, nga fshati Pus i Thatë i të njëjtës komunë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 1 të Kukësit, në afërsi të një karburanti rreth orës 08:00 dhe ka frikësuar dhjetëra persona që janë ndodhur atypari në punët e tyre. I plagosuri është dërguar fillimisht në spitalin e Kukësit e më pas me autoambulancë në spitalin e Tiranës, ku ndodhet në gjendje kome.
Naim Bytyçi punon si sekretar komune në Gjinaj, si përfaqësues i Partisë Socialiste
Viktima Bytyçi nga fshati Myç-Has, punon si sekretar komune në Gjinaj si përfaqësues i PS-së, por baza e konfliktit, siç pohojnë edhe burimet, nuk lidhet me politikën. Edhe agresori Kastrati, në zgjedhjet vendore, ka qenë kandidat i kësaj force politike, por burime që mbeten të vërtetohen nga drejtësia tregojnë se konflikti ka nisur për një qendër shëndetësore që ndodhet në fshatin Myç-Has dhe ku punon si ndihmësmjek Qamil Kastrati, autori i plagosjes me pistoletë. Burime të policisë pohojnë se qendra shëndetësore në këtë fshat ka qenë objekt i thyerjeve e vjedhjeve disa herë, si dhe është penguar për shkaqe pronësie. Disa të afërm të Bytyçit tregojnë se qendra shëndetësore ka qenë objekt i një sherri mes dy protagonistëve pak muaj më parë, madje thonë se për këtë shkak viktima Bytyçi ka qëlluar me shuplakë të birin e Qamilit.
Edhe Qamil Kastrati ka qenë kandidat i Partisë Socialiste për këshillin e Komunës Gjinaj
Mes dy bashkëfshatarëve, Bytyçit dhe Kastratit, ka pasur negociata pajtimi nga të afërmit dhe shumë njerëz të fiseve tregojnë se e kishin menduar të sheshuar sherrin mes tyre. Ndoshta kjo ka bërë që viktima Bytyçi ti përgjigjet një thirrjeje me telefon nga ana e Qamilit për të pirë një kafe. Dhe vërtet, siç treguan disa dëshmitarë, ata të dy kanë pirë kafe në lokalin e karburantit, por menjëherë pasi kanë dalë, rreth 20 metra më tej, në mes të një kryqëzimi, Kastrati e ka qëlluar me pistoletë në ballë Bytyçin. Disa burime thonë se agresori ka qëlluar dy herë, por policia konfirmon se Bytyçi është plagosur me një plumb në kokë.
Kastrati ka pasur me vete edhe një nga djemtë, i cili është tronditur aq sa nuk ka mundur të lëvizë vendit. Më pas një mik i Kastratit i ka marrë babë e bir në makinë dhe i ka larguar në drejtim në të Hasit.
Në vendngjarje ka shkuar një numër njerëzish të afërt të Bytyçit, të cilët e kanë dërguar në spital, ku për shkak të goditjes në kokë mjekët e kanë nisur drejt Tiranës, ku deri në orët e vona mësohet se ka qenë në koma.
Arrestimi i 48-vjeçarit Kastrati nuk i ka marrë shumë kohë dhe mund policisë. Vetëm dy orë pas ngjarjes ai është gjetur në shtëpinë e tij në Pusin e Thatë, rreth 20 km larg qytetit të Kukësit dhe është arrestuar pa rezistencë.
Së bashku me të është shoqëruar edhe një person i afërt, me profesionin mjek, i cili e ka shoqëruar Kastratin deri në shtëpi.
Pas arrestimit nga ana e policisë, siç mësohet nga efektivët blu, 48-vjeçari Kastrati ka pranuar autorësinë e plagosjes, duke dhënë si argument sherret që ka pasur me të për qendrën shëndetësore. Por ende policia nuk ka gjetur armën e krimit, pasi, siç pohojnë burimet, autori ka thënë se gjatë largimit drejt shtëpisë e ka hedhur në liqen.
Ndihmësmjeku, plumb ballit njeriut që e pengonte të punonte burimi: Gazeta Shqip