Ndihmuan Talo Çelën të fshihej dhe u përfshinë në vrasjen e 5 personave, 3 të arrestuar në Dubai

Tre persona janë arrestuar në Dubai gjatë operacionit “The Wanted”, pasi akuzohen se kanë ndihmuar të fshihej të shumëkërkuarin e drejtësisë, Talo Çela. Në pranga përfunduan Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika, të cilët rezultojnë të jenë dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vrasje dhe përkrahje të autorëve të krimeve në të paktën 5 raste.
Në pranga përfunduan Ervis Daka, 38 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:
-ka informuar shtetasit që kanë tentuar të vrasin shtetasin K. P., në lidhje me lëvizjet e tij;
-ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasit A. S.;
-ka strehuar, ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, shtetasit të shumëkërkuar T. Ç.
Maksim Koçi, 39 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:
-ka marrë pjesë në vrasjet e shtetasve K. K. dhe I. A.;
-ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasve A. S. dhe A. C. alias A. S.;
-ka ndihmuar shtetasin e shumëkërkuar T. Ç., për t’u fshehur;
Ado Xhika, 40 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:
-për rreth 2 vjet, ka ndihmuar shtetasin T. Ç., duke i krijuar kushtet e nevojshme për jetesë;
-ka shoqëruar 1 gazetar, me qëllim intervistimin e shtetasit T. Ç.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët, me qëllim ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri.
/rtsh.al/