E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndikimi i komunizmit në krijimin e vlerave false

Shqipëria është një vend që përjetoi një nga regjimet më të egra komuniste, për më shumë se katër dekada. Por vlen për t’u gjykuar me forcë fakti se ende mbeturina të regjimit të kaluar përpiqen të ushtrojnë ditën për diell ndikimin e tyre në jetën publike. Komunizmi shqiptar ishte komunizëm i një lloji të veçante, i papërsëritshëm, me një kulturë politike të dominuar nga një stalinizëm ekstrem. Etërit dhe mbështetësit e komunizmit tek ne, u përpoqën që në çdo aspekt të veprimtarisë së vet, të ushtronin ndikim, të jepnin direktiva e të krijonin (anti)vlera. Nëse i referohemi rrafshit politik, megjithëse partia qeveriste në mënyrë të hekurt duke mos lejuar asnjë forcë tjetër konkurruese, duke eleminuar e përndjekur kundërshtarët, komunistët e deformonin konceptin e demokracisë, duke e (keq)konsideruar qeverisjen e tyre si demokratike. Elita komuniste dhe diktatori që i udhëhiqte përpiqeshin të transmetonin idenë se qeverisja e tyre i shërbente popullit, njeriut të thjeshtë dhe ekzistenca e organizatava të masave ishte tregues i një pluralizmi politik. Por në fakt ky ishte një pluralizëm fals dhe grotesk.
Komunizmi vuri në censurë jetën politike, veprimtarinë letrare e artistike si dhe vetë individin. Komunizmi dhe kriteret e tij estetike-letrare-politike prodhuan vepra të cilat mbartin vlera të një rëndësie aspak kombëtare. Vepra të cilat ngrejnë lart dhe himnizojnë parimet komuniste, që janë në shqrbim të “oborrit” dhe që u shembën bashkë me regjimin komunist. Në çdo fushë aktiviteti komunizmi ushtroi ndikimin me kriteret e tij duke e bërë prodhimtarinë e këtyre fushave të pavlerë për trashëgiminë kombëtare.
Por zgjatime dhe mbeturina të regjimit komunist pretendojnë të jenë politikanë demokratë, familjarë e të afërt të liderit diktatorial si dhe media të majta vënë në shënjestër e godasin me paturpësi ata që mbjellin vepra demokratike apo sulmojnë me verbëri të pashoqe liderin simbol të themelimit të sistemit demokratik shqiptar. Kjo shënjestër drejtohet edhe kah figura më e shquar e penës shqiptare, kah legjenda e letërsisë shqipe, ambasadori kulturor i yni në botë, Ismail Kadare.
Në mënyrë tinzare, kjo aradha përcaktoi si hap të parë eliminimin dhe censurimin e mendimit elitar e intelektual, çka prezupozohej se do ta bënte më të lehtë vegjetimin e tyre në pushtet, edhe në sistemin e ri. Regjimi komunist ka mbajtur një qëndrim e pozitë obstruksioniste ndaj krijimtarisë së artë të Kadaresë, ndërsa hijet e zeza të komunizmit të dikurshëm godasin dhe kritikojnë haptazi sot figurën e tij, goditje këto që s’ngjajnë të rrezikshme. Përkundrazi, ato veç ridimensionojnë edhe më lart vlerat kombëtare të veprës së Kadaresë. Por ky aksion është si të prashisësh në ujë, pa rendiment. Veprimtaria e tyre politike, kulturore, publicistike është thjesht një reflektim vlerash të vjetëruara e false. Koha për ndryshim do sjellë domosdo – ndoshta që me zgjedhjet e ardhshme – zhdukjen nga skena politike dhe jeta publike e atyre individëve që ngrysen e gdhihen me mendësinë komuniste në mendje e në zemër.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›