E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedinë e Gjirokastrës ta lexojmë në mënyrë kryeqytetase

Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar “alla shqiptare”

Një ditë mund të na ndodhë të gjithëve. Kjo është ajo çka shkojmë ndërmend ndërsa shohim pamjet e rreshtat që ofrojnë mediat tona, por edhe ato të huaja, të cilat nuk vonojnë ta publikojnë këtë lajm, të paktën në edicionet e tyre online. - Në Gjirokastër rrëzohet një “pallat” që merr nën rrënoja disa jetë njerëzish. - Ky është një lajm sa tragjik, aq edhe komik, gjithnjë nëse komikja mund të flerë brenda tragjikes, siç ndodh shpesh në tragjeditë alla shqiptare. Tragjik sepse atyre që iu mor jeta ishin njerëz, të cilët e paskan pasur risk (por sigurisht jo hak) të largoheshin nga kjo botë të mbytur nën rrënoja e të vuanin nga një agoni mortore e pamëshirshme dhe e papërshkrueshme. Komik sepse ngjarja që ndodhi në vetvete nuk përbën një risi: ajo pritej të ndodhte nga dita në ditë, në mos në Gjirokastër, me shumë gjasa, në Tiranë. E askush nuk mund të thotë se habia ka qenë e madhe. Por gjithsesi, komikja në këtë rast duhet shmangur e nuk ka vend. Solidariteti është ai çka vlen.
Kjo çmenduri po na vret të gjithëve prej vitesh. Nëse një pallat, një ndërtesë rrëzohet, s’ka rëndësi në Gjirokastër, apo në Tiranë, Korçë apo Lezhë, kambanat e alarmit duhet të bien njëlloj për të gjithë ne që jetojmë në këtë vend me emrin Shqipëri. Çatia mund të na zerë të gjithëve mbi kokë një ditë.
Fajin e ka shteti, thotë shumëkush pa menduar se shteti është edhe prokuroria, edhe gjykatat, edhe pushteti lokal. Sigurisht se për dikë që nuk do t’i bjerë gjatë, shumatorja e të gjitha këtyre që përmendëm, plus qeverinë, përbën atë që ne e quajmë “shtet”. Dhe mirë bëjnë…
Por gishti duhet vënë në plagë e plaga duhet kuruar. Nuk e di, por se ç’m’u kujtua një ngjarje e ngjashme që lidhej me ndërtimin e një pallati pranë atij ku edhe unë banoj në Tiranë dy-tri vite më parë. Thuhej se pas ndërtimit të atij pallati fshiheshin interesat e një pushtetareje të lartë bashkiake, me të cilën një luftë ligjore do të ishte e kotë. Me shumë mundim, me ndërhyrje, por edhe me deklarime për ta mbrojtur me gjak e kokë të drejtën legjitime, banorët e zonës së pallateve përreth arritën një fitore të pjesshme, çka do të thoshte: zhvendosje e planit makabër të ndërtimit të pallatit “ferr”, nga pika A në pikën B. Kjo ishte “gjysma e së keqes”, por e keqja i ka rrënjët larg e tentakulat e saj shkojnë përtej fuqive tona. Po, sepse pavarësisht se banorët pritnin prej kohësh kthimin e sipërfaqes ku është ndërtuar pallati, në një lulishte ku do të mund të uleshin e të kundronin fëmijët, nipërit e mbesat e tyre në qetësi ndërsa luanin, ata u gjendën papritur nën këmbët e një masivi të madh betoni e muresh që u zë dritën, u merr frymën e që ka rrezik t’ u marrë edhe jetën një ditë.
Eh…do të thoshin shumë të tjerë, në ç’kohë jetojmë?! Nuk po e marrim vesh. Si për ironi, pak ditë më parë më vjen në e-mail - për të disatën herë - nga një adresë anonime, ftesa për të parë në “Power Point” pamje nga maketi i ri i Tiranës, qytetit ku u lindëm e u rritëm. Oh ç’ ironi?! - Në maket dukej çdo gjë mirë e bukur, pothuajse një ëndërr. Pjesët që nuk mund të ndërhysh më në qytet, pasi janë betonuar pa iu nënshtruar asnjë plani rregullator, në maket sikur ishin shkrirë e thuajse bashkëjetonin në një paqe fatlume me “futurizmin modern” arkitekturor. Një projekt me të cilin besoj të gjithë janë njohur. E sigurisht, se ai është tashmë vetëm një utopi vrastare, pasi këtij qyteti nuk ke çfarë i bën më. Ai është i sëmurë. Kjo është më e pakta, parë me sytë e një realisti, sepse për një pesimist, ai ka vdekur. Po po, ka vdekur.
Masakra urbane që është bërë, është praktikisht e pariparueshme e arkitektët më të mirë në botë do të rrudhnin vetullat para kësaj mynxyre. Betonizimi është shndërruar në një proces normal, një normë, një fenomen i pranuar në heshtje e pa rezistencë; një ortek që merr përpara ç’të gjejë: sipërfaqe, hapësira, shtëpi, fusha sporti, lulishte, parqe e liqene.
Tani të vijmë sërish në temë: kush e ka fajin për atë që ndodhi në Gjirokastër? Nëse do i shkohet hollë-hollë, sigurisht se shteti nuk është një nocion unik, ai ka shumë zinxhirë e përgjegjësia ka një emër. Prokuroria ka rastin të merret me një çështje konkrete e të verë gishtin në plagë. Në Turqi, ka ndodhur në fakt që të rrëzohen pallate, apo edhe në Kinë e gjetkë, dhe pavarësisht nga motivet e ndryshme në dukje, ato në shumicën e rasteve kanë ardhur si pasojë e korrupsionit. “Tërmetet” kanë zbuluar korrupsionin që fshihej pas ndërtimeve abuzive.
Përsa i përket pjesës që mbetet, duket se shumëkush me këtë rast u vu në provë. Emergjencat civile, Ministria e Shëndetësisë, Policia e shtetit etj., vetë kreu i qeverisë u gjendën në vend në momentin e duhur. Por kjo s’ mjafton? Paralajmërimet si një rast që do të kishte pasoja, ishin evidente me kohë dhe “tërmeti” i abuzimeve duhej ndalur, pasi ky ishte një rast flagrant megjithëse edhe të tjerët (si ai që rrëfeva më lart e që janë të panumërt) janë shumë të ngjashëm. Kjo ngjarje sigurisht se përbënte atë njihet si një “kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” alla shqiptare, të cilën në një dimension tjetër, në përmasa edhe më alarmante, e hasim çdo ditë e më qartë në kryeqytet. Atë që po ngrihet këtu nuk mund ta fshehin as ngjyrat e fasadat e pallateve që u del boja, e as hossanatë në mediat e paguara kombëtare e ato ndërkomëbtare për “vepra të papara” të një kryebashkiaku që pritet të sjellë ndryshimin . Betonizimi i qytetit përbën një vepër kriminale me pasoja të pariparueshme në terma afatgjatë e jo vetëm ky brez, por edhe disa nga ata që do na pasojnë, do të duhet ta “gëzojnë” këtë dhuratë që i kanë bërë paraardhësit që menaxhojnë (krye)qytetin.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›