E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndikimi i sh

• Leonard Demi *Konsolidimi i pushtetit demokratik është sfida themelore e këtij fillim shekulli me të cilën përballen udhëheqësit politikë të demokracive të reja, si dhe udhëheqësit politikë botërorë Konsolidimi demokratik kërkon ristrukturimin e ekonomisë dhe kontrollin civil demokratik të forcave të sigurimit kombëtar, ku vështirësi më të mëdha ngërthen kontrolli i strukturave të shërbimit të fshehtë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me lidhjet që ky shërbim ka pasur apo ka me regjimet e mëparshme jodemokratike si institucioni kryesor, që abuzoi dhe dhunoi të drejtat e njeriut, por edhe për tensionet që krijohen midis shërbimit të fshehtë dhe demokracisë. Siç dihet, shërbimi sekret është aq i vjetër sa edhe vetë shteti. Mbledhja e informatave dhe vlerësimi i tyre kanë qenë aktivitet kryesor i qeverive dhe ushtrive të ndryshme, por ngritja e tij në institucion është një risi e Perandorisë Viktoriane. Që nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe deri në fillim të Luftës së Parë Botërore, ky institucion u zhvillua ngadalë, por u rrit shumë shpejt pas kësaj lufte. Sot, në epokën e industrisë së telekomunikacionit, shërbimet e fshehta sigurojnë një informacion që as mund të imagjinohej më parë. Qëllimi i këtij artikulli është të përshkruajë strukturat dhe proceset që kryen sot shërbimi i fshehtë, të analizojë sfidën e kontrollit demokratik, si dhe të theksojë rëndësinë e shërbimit të fshehtë si profesion. Diskutimet mbi kontrollin dhe shërbimin e fshehtë janë të vështira për disa arsye. Së pari, termat dhe konceptet janë të paqarta. Së dyti, një pjesë e madhe e shërbimit të fshehtë është sekret, informacioni është pushtet dhe ata që e kanë duan ta mbajnë sekret. Profesionistët e shërbimit të fshehtë janë një bashkësi e posaçme, që i minimizon njohuritë që kanë të tjerët për ta dhe aktivitetet e tyre. Së treti, për shërbimet e fshehta dhe demokratizimin ka pak gjëra të shkruara. Gjërat e mira, që janë shkruar për shërbimet e fshehta në demokraci, u përkasin demokracive të konsoliduara, si: Britanisë së Madhe, Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të gjitha këto materiale theksojnë se shërbimi i fshehtë duhet të kontrollohet me qëllim që të parandalohet ndonjë rrezik antidemokratik.Shteti i përgjimit dhe i dhunësShërbimi i fshehtë ishte një element i fuqishëm që të gjitha regjimet autoritare (përfshi vendin tonë dhe ish-vendet komuniste) e përdorën për të ruajtur pushtetin. Këto regjime autoritare nuk kishin legjitimitet demokratik sepse nuk vinin nga zgjedhjet e lira. Ato u mbështetën në organizma, që i përdorën për të zbuluar dhe asgjësuar kundërshtarët politikë apo kundërshtarët e regjimit, si dhe në një mori mënyrash e mjetesh të tjera, ku bënte pjesë edhe media e atëhershme, e cila, së paku, duhet të krijonte një apati të brendshme. Në shumicën e rasteve, organizmat mbi të cilët u mbështetën regjimet autoritare komuniste ishin shërbimet e fshehta. Pikërisht, për shkak të rëndësisë dhe lidhjes së ngushtë që shërbimet e fshehta kishin me pushtetin, institucioni i tyre u rrit në numër dhe mori një autoritet shumë të madh. Ato u bënë mjaft të pavarur edhe pse vepronin brenda regjimeve autoritare dhe u kthyen, kryesisht, në kundërzbulim, d.m.th., mbronin sekretet e shtetit nga të huajt. Meqenëse, atëherë, çdo gjë mund të përcaktohej si sekret shtetëror, këto organizma mund të kontrollonin gjithçka. Rëndom, ato lidhnin me armiq të jashtëm imagjinarë çdo kundërshtar të regjimit, prandaj u përqendruan, kryesisht, kundër opozitës apo kundërshtarëve të brendshëm se sa kundër shteteve të tjerë. Trashëgimia më e keqe që shërbimet sekrete u lanë demokracive të reja është dhunimi sistematik që ato u bënë të drejtave të njeriut. Informacionin që mblodhën nga qytetarët e vendit të vet, në shumicën e rasteve, e nxorën me metoda abuzive dhe dhunë. Më pas e përdorën për të eliminuar opozitën e brendshme. Me pak fjalë, ish-shërbimet sekrete janë të lidhura me dhunimin e të drejtave të njeriut dhe kjo dhunë karakterizon regjimin komunist shqiptar dhe pjesën më të madhe të regjimeve autoritare komuniste.     Sigurimi i Shtetit apo Organet e Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, në dokumentet partiakë apo “platformat” sipas të cilave ushtronin aktivitetin e tyre, konsideroheshin: “ ... një armë e fuqishme e diktaturës së proletariatit që udhëhiqen nga Partia për të dërrmuar rezistencën e mbeturinave të klasave shfrytëzuese të përmbysura, si dhe për të zbuluar planet, qëllimet e veprimtarinë e armiqve të jashtëm e të brendshëm, për të mbrojtur fitoret e revolucionit e Atdheun socialist, për triumfin e çështjes së komunizmit”. Më poshtë vazhdon: “... të sigurojnë jetën e udhëheqësve të Partisë e të Shtetit ... Objekti i punës operative janë shtetasit shqiptarë, shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi që kryejnë, kanë kryer ose paraqesin dyshime se mund të zhvillojnë veprimtari armiqësore e keqbërëse kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë (platforma e Byrosë Politike e vitit 1964, 1977, 1985)”.    Këto dokumente ndalonin të viheshin “në përpunim” pa miratim përkatës vetëm anëtarët dhe kandidatët e KQ të PPSH, anëtarët e Qeverisë, deputetët, emërtesat e Byrosë Politike dhe Sekretariatit të KQ të PPSH, d.m.th., rreth 250-300 vetë. Me pjesën tjetër të popullit, rreth 3 milionë shqiptarë, kishin të drejtë të ushtronin aktivitetin e vet.    Për krijimin e rrjetit agjenturor, në bazë të platformave të mësipërme, organet e punëve të brendshme kishin të drejtë të përdornin në bashkëpunim sekret çdo qytetar të RPSSH ose shtetas të huaj. Këto “organe” autorizoheshin ta kryenin këtë punë edhe me dhunë. Ato kishin të drejtë të arrestonin çdo individ për ta detyruar të bashkëpunonte. Platforma u jepte liri organeve të punëve të brendshme të përdornin në bashkëpunim sekret edhe anëtarë e kandidatë partie, duke bërë një kufizim jodomethënës: “... nuk duhet të kenë funksione partie”. Bashkëpunëtorëve anëtarë apo kandidatë partie nuk u merrej dokument bashkëpunimi.    Sot, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) në veprimtarinë e vet nuk ka asgjë të përbashkët me paraardhësin e vet, Sigurimin e Shtetit apo Organet e Punëve të Brendshme të RPS të Shqipërisë. Ai është një institucion jopolitik në shërbim të sigurisë kombëtare, që vepron në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë si demokraci parlamentare evropiane dhe që synon të arrijë standardet euroatlantike.     Ky institucion po jep një kontribut të rëndësishëm në forcim të pushtetit demokratik, në luftën kundër krimit të organizuar dhe lidhjeve të tij, kundër trafiqeve të paligjshme, si: njerëz, drogë, armë, etj., kundër instalimit të rrjeteve ekstremiste, etj. SHISH jep një kontribut të madh në luftë kundër terrorizimit. Partnerët e vet ndërkombëtarë e vlerësojnë mjaft lart këtë veprimtari. Po kështu, SHISH ka marrë vlerësime shumë pozitive edhe për kontributin i tij në çështje që kanë të bëjnë me rritjen e sigurisë në rajon.     Shërbimi Informativ Shtetëror, sipas rregullores së Kuvendit, raporton rregullisht për veprimtarinë e vet në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare.Konsolidimi i pushtetit demokratikStudiuesit e sistemeve politike nuk kanë mundur të gjejnë modele tranzicioni demokratik kur krahasojnë sistemet politike. Tranzicionet ndryshojnë nga njëri-tjetri dhe nuk përgjithësohen. Studimet kanë treguar se regjimet autoritare u shkatërruan për shkak të sukseseve apo dështimeve të tyre, nga veprimet apo mosveprimet e intelektualëve vendas ose të huaj, por në çdo rast pushteti kaloi tek civilë që, pak a shumë, ishin të zgjedhur. Tranzicioni përcjell ndryshimet dhe është elementi që u dha mundësinë regjimeve të reja demokratike të marrin pushtetin, por që nuk rezultuan gjithmonë në regjime demokratike të qëndrueshme. Sot, në fushën e politikave të krahasuara theksi bie tek konsolidimi demokratik. Konsolidimi është një koncept i dobishëm sepse reflekton idenë se strukturat dhe proceset e një regjimi të ri po bëhen të qëndrueshme. Kështu, një regjim demokratik konsolidohet kur si të zgjedhurit, ashtu edhe zgjedhësit e pranojnë atë si “të vetmen lojë”. Të pranohet kjo aksiomë nuk është një çështje e lehtë, veçanërisht kur njeriu, për të emëruar një regjim demokratik, bazohet vetëm tek karakteristikat themelore të tij. Kështu, studiuesit Shmitër dhe Karl (Philippe C. Schmitter, Terry Lynn Karl) japin përcaktimin e mëposhtëm për demokracinë:“Demokracia politike moderne është një sistem qeverisës në të cilin udhëheqësit, për veprimet e tyre, mbajnë përgjegjësi publike para qytetarëve, të cilët veprojnë tërthorazi nëpërmjet konkurrencës dhe bashkëpunimit të përfaqësuesve të tyre të zgjedhur.”Me rritjen e numrit të vendeve demokratike, studiuesit kanë identifikuar një karakteristikë tjetër përcaktuese: “Asnjë strukturë, që nuk është e zgjedhur, nuk ka autoritet mbi zyrtarët e zgjedhur me votë popullore.”Situata politike në të cilën këto garanci funksionojnë është, padyshim, larg nga regjimet autoritare të së kaluarës. Por, sfida të mëdha bien në sy si nga mungesa e përvojës demokratike, ashtu dhe nga vështirësia e zgjedhësve për të vlerësuar këto struktura dhe procese të reja. Për më tepër, në pjesën më të madhe të rasteve, pushteti demokratik përballet me probleme ekonomike, të cilat shpesh shoqërohen edhe me trazira sociale. Mbi të gjitha, demokracia është një sistem me kërkesa si për të zgjedhurit, ashtu edhe për qytetarin e thjeshtë. Të dy palët duhet të kontribuojnë që sistemi të funksionojë mirë. Nga këndvështrimi i përgjithshëm, pushteti i ri demokratik është shumë i brishtë dhe problemi që ngrihet ka të bëjë me rritjen e besimit ndaj tij dhe transparencën në kontekstin e trashëgimisë të regjimit autoritar. Ka raste, si në Rusinë e sotme, ku shërbimet e fshehta nuk janë nën kontroll dhe kanë ende pushtet mbi zyrtarët civilë. Në qoftë se qeveria e zgjedhur nuk kontrollon shërbimin e fshehtë, nuk kemi të bëjmë me një demokraci të konsoliduar.Ç’kuptojmë me shërbim të fshehtë?Kuptimi i shërbimit të fshehtë është një çështje që ende ngërthen mosmarrëveshje, të cilat rrjedhin nga qëllimi dhe diversiteti i tij. Shërbimi sekret përcaktohet si proces: procesi i mbledhjes dhe përdorimit të informacionit për disa qëllime. Meqenëse proceset janë të ndryshme, siç janë edhe burimet e informacionit dhe qëllimet e tij, ende shumë gjëra janë të paqarta dhe me dy kuptime. Ky qëndrim, mbase është i qëllimshëm: për të mos dhënë informacion. Kur dikush njihet me shërbimin e fshehtë dhe kufijtë e tij, atëherë kupton se jo çdo gjë mësohet. Specialistët e shërbimit të fshehtë janë trajnuar të mbledhin informacion dhe jo ta japin atë. Këtë të drejtë e gëzojnë pak individë: disa prej shefave të tyre. Kjo tendencë përshkon të gjithë fushën e shërbimit sekret. Puna e profesionistëve të shërbimit sekret është informacioni, prandaj nuk ka kuptim që ata ta lëshojnë atë. Këtë gjë ata e bëjnë kur informacioni nuk është gjë tjetër, veçse dizinformacion.Duke iu kthyer sërish qëllimit tonë në këtë artikull, për të përkufizuar shërbimin sekret mund të përdorim një përcaktim të gjerë, atë të Glen Hasted (Glenn P. Hastedt), i cili tek “Duke kontrolluar shërbimin e fshehtë” thotë: “Katër elementët e shërbimit të fshehtë janë: (i) Mbledhja sekrete e informacionit, (ii) analiza dhe vlerësimi i tij, (iii) aksionet e fshehta dhe (iv) kundërzbulimi.” Lok Xhonson (Loch Johnson) e zhvillon këtë tezë si më poshtë:“Shërbimi i fshehtë zakonisht përfshin dy kuptime të gjëra. Së pari, shërbimi i fshehtë përfton dhe interpreton informacionin për kërcënimet me të cilat përballet vendi, d.m.th., përpiqet, sigurisht jo në mënyrë perfekte, të pakësojë hendeqet dhe paqartësitë që transmetojnë burimet e hapura të dijes. Së dyti, bazuar mbi informacionin e burimeve të fshehta dhe të hapura, vendimmarrësit iu kërkojnë shërbimeve të tyre të fshehta të mbrojnë vendin nga rreziqet që i kanosen (kundërzbulimi), si dhe të këndellin interesat e tij nëpërmjet manipulimit sekret të ngjarjeve që ndodhin jashtë dhe të personaliteteve (aksionet sekrete). Në këtë mënyrë shërbimi sekret përfshin edhe informacionin dhe përgjigjen.”Kështu, me shërbim të fshehtë kuptojmë këto katër funksione: Mbledhje, analizë, kundërzbulim dhe aksione të fshehta (apo aksione të mbuluara). Shërbimi i fshehtë apo inteligjenca, siç e quajnë shumë vende, i referohet si institucionit që mbledh informacionin, ashtu edhe informacionit të mbledhur. Mirëpo, çdo individë dhe organizatë mbledh dhe përpunon informacion. Por, karakteristika përcaktuese nuk është informacioni në vetvete. Karakteristika përcaktuese është se këto funksione janë të përqendruara tek shteti, i përkasin shtetit dhe janë sekrete. Kështu, ky informacion ka një natyrë të dyfishtë, së pari, është informacion dhe së dyti, është sekret, që përdoret nga shteti në konflikte realë apo potencialë. Më poshtë po përshkruajmë shkurt këto katër funksione.Elementët e shërbimit të fshehtë 1. Mbledhja e informacionitShërbimet e fshehta mbledhin informacion. Pyetja shtrohet se çfarë lloj informacioni mbledhin dhe çfarë mjete përdorin për ta mbledhur atë. Së paku, ato përdorin ato që sot quhen “burime të hapura”, të cilat përfshijnë periodikë, internet, si dhe seminare e konferenca. Meqenëse për mjaft çështje mund të gjendet me lehtësi informacion i bollshëm, sot po debatohet mbi burimet e fshehta në raport me burimet e hapura. Kur flitet për informacion sekret, bie në sy një dallim midis informacionit sekret që vjen nga njeriu (HUMINT) dhe informacionit sekret që sigurohet nga shkenca dhe teknika, që në terminologjinë perëndimore njihen, si: SIGINT, IMINT dhe MASINT (i pari është informacion që interceptohet nga komunikimet, radarët dhe telemetria; i dyti përfshin pamje tokësore dhe ajrore; ndërsa i treti siguron atë informacion që nuk mund ta japin dy të parët dhe ka të bëjë me zbulimin e përmasave dhe formave). Informacioni që mblidhet sot është jashtë zakonisht i madh. Xhonson, Hulnik dhe Bremër (L.K.Jonhson, A.S. Hulnick and D. Brammer,...) thonë se vetëm 10% e këtij informacioni del jashtë mureve të institucioneve të shërbimit sekret. Kjo shifër mund të jetë edhe më e vogël. Disa studiues, si: Meltzer, Kronin dhe Devënport (M. F. Meltzer, B. Cronin and E. Davenport) përpunimin e informacionit e krahasojnë me industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës. Të gjesh naftë është shumë e vështirë. Kur e gjen, gjatë përpunimit sasia e naftës bruto zvogëlohet, por vlera e saj rritet. Kështu ndodh edhe me informacionin që vjen nga shërbimet sekrete. Vendet e pasura bëjnë investime të mëdha në shkencë dhe teknologji për të prodhuar pajisje që sigurojnë të dhëna sekrete. Në vitin 1970, kongresmeni Çërç (Church) ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara shpenzonin për mbledhjen e informacionit 90% të të gjithë fondeve të parashikuara për shërbimet sekrete. Këtu futet interceptimi dhe përpunimi i bisedave telefonike, komunikimeve radiofonike dhe kompjuterike. Përpunimi mund të përfshijë dekodimin, si dhe përkthimin. Një burim tjetër i informacionit sekret teknik dhe shkencor është edhe rikonjicioni fotografik ose i pamjeve. Në fillim këtë informacion e siguronin atashetë duke fotografuar anije, aeroplanë, apo tanke. Sot ka satelitë ajrorë që bëjnë rikonjicion, aeroplanë që nuk dallohen apo që nuk kapen nga kundërshtari (siç ishte rasti i avionëve U-2 që fluturuan mbi Kubë gjatë krizës së raketave të vitit 1962). Sot mund të blesh nga firma private fotografi që pak vite më parë ose ishin të pamundura, ose ishin shumë sekrete. HUMINT është informacion, i cili mblidhet nga njerëzit dhe përfshin informacionin që sigurohet nga të akredituarit si pjesë e raportimeve të tyre rutinë, informacion që mblidhet në ngjarje publike apo sociale, si dhe informacion që sigurohet në mënyrë të fshehtë nga spiunët, nga leximi i letrave dhe dokumenteve të tjerëve. HUMINT është “spiunazhi” tradicional ose spiunimi. Kryesisht, përdorimi i agjentëve për t’iu siguruar shefave të tyre informacion sekret. Këta agjentë, kudo që të ndodhen, informacionin e dërgojnë në institucionin përkatës në atdhe.    Informacioni sekret që mblidhet nga njerëzit është më i liri nga gjithë informacioni që mbledhin shërbimet sekrete, por ai është gjithmonë shumë i rëndësishëm. Për këtë qëllim, këto institucione përdorin një piramidë burimesh ku në bazën e saj janë burimet e rëndomta. Rëndësia e tyre rritet sa më lart ngjitesh për në krye të piramidës. Në bazë të piramidës janë udhëtarë të rastit, ekspertët dhe më pas vinë me radhë: refugjatët, kontaktet me biznesin, popullsi të pushtuara gjatë luftës apo robërit e luftës, informatorë sekretë të rastit, të arratisurit, qeveri alternative, kundërshtarë politikë, disidentët dhe në maj të piramidës, si më të rëndësishmit, janë agjentët apo informatorët profesionistë. 2. Analiza e informacionitInformacioni i papërpunuar nuk është i vlefshëm pa u analizuar. Analiza u jep formë kërkesave të mbledhjes. Nxjerrja e konkluzioneve nga informacioni i mbledhur është problemi më i vështirë apo sfida e shërbimit të fshehtë. Po të kthejmë këtë logjikë në retrospektivë, Shtetet e Bashkuara duhet të kishin njohuri për qëllimet japoneze në Përl Harbër, argjentinasit duhet të kishin njohuri rreth veprimeve britanike dhe amerikane për invazionin e Malvineve dhe Sadam Hyseni duhej ta dinte se Shtetet e Bashkuara do të shkonin me forcë në Kuvajt dhe që do ta sulmonin në 2003. Këtu, problemi nuk ka të bëjë vetëm me përpunimin e të dhënave gjigande, por përpunimi i informacionit të mbledhur duhet të nxjerrë konkluzione politike.Profesionistët e shërbimit duhet të bindin politikanët për vërtetësinë dhe rëndësinë e informacioneve të tyre. Prodhimi është hapi i parë, pas tij informacioni duhet tregtuar. Analiza, me pak fjalë, nuk është thjesht një çështje teknike, por përfshin metoda, perceptime dhe interpretime politike. Një pjesë e madhe e literaturës analitike të shërbimit sekret mbi SHBA-në dhe BRSS-në përqendrohet tek fakti nëse dhe në çfarë mase udhëheqësit përdornin informacionin që u sigurohej nga shërbimet e fshehta. Në veprën e vet “Strategic Intelligence for American World Policy” Kenti (Sherman Kent) thotë: “Ata (vendimmarrësit) kanë nevojë për njohuri të cilat të jenë të plota, të sakta, në kohën e duhur dhe që të shërbejnë si bazë për veprim.” Aksionet që janë bazuar në të dhënat e shërbimeve sekrete janë antiteza e udhëheqjes që bazohet në ideologji. Më poshtë ai vëren: “Unë nuk dëshiroj të jem ai njeri që hedh poshtë të gjitha mendimet dhe gjasat si krejt të rrezikshme, sepse ka gjasa, që janë të bazuara në njohje e dituri dhe që thonë të vërtetën më të madhe. Ajo që unë dua të hedh poshtë është gjasa që bazohet në asgjë dhe që tërhiqet nga dëshira.” Më tej Kent shkruan: “Burri i shtetit që hedh poshtë atë informacion që paraqitet në mënyrë të arsyeshme, duhet të marrë vesh që ai u kthen kurrizin dy instrumenteve: instrumentit të arsyes dhe të metodës shkencore, me anën e të cilave njeriu perëndimor ka zgjeruar horizontin dhe njohuritë e veta që nga koha e Aristotelit.”     Pra informacioni sekret, kur është i saktë, shumëfishon forcën sepse ekonomizon përdorimin e saj. Hendëll (M. Handel) thotë se kur ky informacion është i varfër, e zvogëlon forcën sepse e shpenzon kot atë. Kur të dhënat e shërbimit sekret i ofrohen rregullisht procesit vendimmarrës i japin mundësi qeverisë të marrë vendime të arsyeshme dhe të jetë e lidhur me realitetin. Këtu përjashtohen ata që mendojnë se ajo që ndodh është e ngjizur nga forca të mëdha historike dhe jo nga cilësia e vendimeve individuale. 3. KundërzbulimiQëllimi bazë i kundërzbulimit është të mbrojë shtetin dhe sekretet e veta nga veprimtaria zbuluese dhe diversioniste e shteteve dhe organizmave të huaj. Z. Xhejms Engëllton (James Angleton), për një kohë të gjatë drejtues i kundërzbulimit të CIA-s, e përcakton kundërzbulimin kështu: “’Marria e pasqyrave,’ ku tradhtarët janë të rremë, gënjeshtrat janë të vërteta, të vërtetat gënjeshtra dhe reflektimi të huton e të bën konfuz.” Ndërsa Ebram Shulski (Abram N. Shulsky) e përkufizon në këtë mënyrë:“Kundërzbulimi, kryesisht, i referohet informacionit të mbledhur dhe të analizuar, ai i referohet veprimtarive që ndërmerren për të mbrojtur shtetin (duke përfshirë aktivitetet e fshehta) nga veprimet e shërbimeve të fshehta armiqësore. Sipas këtij përcaktimi, qëllimi i kundërzbulimit është aq i gjerë sa ç’është edhe qëllimi i shërbimit sekret, sepse të gjitha sjelljet dhe aktivitetet e shërbimeve të fshehta armiqësore mund të përcaktohen si veprimtari kundër vendit.”     Në regjimet totalitare si ai i yni, kjo veprimtari përfundonte në një spiral dhune. Është po kaq e dhunshme, edhe sot, në ato vende ku nuk vepron shteti ligjor, si dhe në vendet jodemokratike të Botës së Tretë. Në këto raste shërbimi sekret rëndom dhunon të drejtat e njeriut dhe agjentët e shërbimit të fshehtë, që i dhunojnë këto të drejta, nuk dënohen. Shqipëria ka qenë një vend tipik i kësaj dhune. Për Sigurimin e Shtetit dhe të partisë organet e punëve të brendshme kishin të drejtë të kontrollonin, sipas platformave të mësipërme: “Korrespondencën e personave që janë në përpunim agjentural kur shihet e nevojshme (d.m.th., të çdo individi), korrespondencën e personave të dënuar ose të arrestuar pavarësisht nga shtetësia e tyre, korrespondencën e personave që ndodhen të internuar ose dëbuar pavarësisht nga shtetësia e tyre kur shihet e nevojshme, korrespondencën e përfaqësive dhe e personelit diplomatik, turistë, vizitorë, etj., të vendeve kapitaliste dhe revizioniste, korrespondencën që nga karakteristikat e jashtme dyshohet se ka përmbajtje kundërrevolucionare (d.m.th. të gjithë korrespondencën).”    Kontrollit të korrespondencës së jashtme i nënshtroheshin “kategoritë e mëposhtme”: “... korrespondenca private e shtetasve të Republikës Popullore të Shqipërisë në funksionin përfshi zëvendësdrejtor e poshtë në aparatet qendrore të shtetit dhe të organizatave të masave, korrespondenca private e personave në përgjithësi, që nuk kanë funksione drejtuese kryesore në parti e pushtet në rreth, korrespondenca e organeve lokale shtetërore e parashtetërore ekonomike e shoqërore në rrethe dhe qytete, korrespondenca e përfaqësive dhe e personelit diplomatik, tregtar, etj., të vendeve kapitaliste dhe revizioniste, të akredituara pranë Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, shtypi dhe botime që vijnë nga jashtë shtetit nga vendet kapitaliste dhe revizioniste në adresë të institucioneve dhe të personave të përmendur në pikat ... ndalohen të shkojnë në destinacion ...”    Kjo platformë u jepte të drejtë organeve të punëve të brendshme të kontrollonin gjithçka dhe këdo. Më 12 shkurt 1985 u përjashtuan nga kontrolli i korrespondencës së jashtme disa institucione qendrore, por në thelb ky vendim nuk ndryshon asgjë.     Po kështu platforma i autorizonte organet e punëve të brendshme të përdornin vëzhgimin sekret ndaj të gjithë individëve që dyshoheshin për veprimtari armiqësore e keqbërëse (d.m.th. çdo individ apo siç thotë një autor shqiptar: “Ne ishim një popull nën vëzhgim”).4. Operacionet e mbuluaraOperacionet e mbuluara ose, siç i quajnë anglezët, “operacionet e posaçme politike” janë operacione që kanë për qëllim të ndikojnë tek një shtet i huaj, por që e mbajnë të fshehtë shtetin që i organizon ose nuk identifikohen me të. Këto operacione jo gjithmonë pasqyrohen në dokumentet qeveritare si pjesë e shërbimeve sekrete, por në librat që flasin për operacione të famshme rëndom iu referohen këtyre lloj operacionesh, duke bërë të njohura edhe dështimet e shërbimeve sekrete që i organizojnë. Sipas rezultateve të komisioneve hetimore Çërç dhe Pajk (Pike), si të tilla mund të përmendim rastin e “Uotërgejt”-it, grushtin e shtetit në Kili, vdekjen e Alendes në vitin 1973, si dhe shumë përpjekje për të eliminuar udhëheqës shtetesh (Komisionet Çërç dhe Pajk u ngritën nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara në mes të viteve 1970, për të kontrolluar shërbimin e fshehtë)...*Autori është kryetar i Komisionit Kuvendor të Sigurisë Kombëtarevijon nesër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›