E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rula, dashuria 1 euro

• Martin LekaHistoria e dashurisë së një shtetaseje greke me një djalë shqiptar, ka tërhequr vëmendjen e madhe të mediave në Athinë dhe Tiranë. Për shumë arsye, kjo histori është futur në krye të top-listës së personazheve të vitit ...(të paktën kështu u tha, bazuar në disa sondazhe të disa mediave në Athinë). Arsyet pse kjo ngjarje bëri kaq bujë dhe po përflitet kafene më kafene, fillojnë në radhë të parë nga mosha e dy personazheve: Rulës nga Athina dhe Franit nga një fshat i Shkodrës. Rula është një grua me moshë 57 vjeç dhe burri i saj Frani, 29 vjeç. Një diferencë e tillë moshe, të paktën për shqiptarët, për traditën dhe kulturën e tyre martesore e familjare, është e papranueshme dhe e pashpjegueshme. Diferenca të tilla, shqiptarët dhe jo vetëm ata, i vendosin tek “file name”-”kuriozitet”! As metafora më e sofistikuar e dashurisë, nuk do të mund të bënte të besonte ndonjë shqiptar se kjo martesë apo dashuri do të ishte një gjë e natyrshme. Konkluzioni në bazë të kësaj logjike na del që Frani nga Nënshati i Shkodrës ka të drejtë që i ka dhënë fund martesës emocionale dhe ka ikur nga shtëpia luksoze e Rulës.Arsyeja e dytë (që plotëson në formë justifikimi atë që thamë më lart) është gjendja sociale e dy bashkëshortëve. Rula Vrohupulu është një grua mjaft e pasur. Ndërsa burri i saj, Frani, është një emigrant me gjendjen ekonomike “copë-copë” si i thonë, po të marrim për bazë ato që dëgjuam nga vetë Rula, bashkëshortja e tij. Ky fakt e bën krejt të “justifikueshëm” aktin e djalit shqiptar, i cili ka menduar se është më mirë të sakrifikosh për një martesë të tillë jonatyrale se sa të degdisesh lagje më lagje të Athinës e Omonias me një çantë me vegla pune duke thërritur: “Pjos theli dhulja”?!... Shqiptari Fran tani duket se ka kuptuar se është më mirë kjo e fundit se sa një jetë me zemër të thyer mbi luksin me perla të ish-stjuardesës së pasur falë edhe fitimit prej saj të një superllotarie. Sigurisht, të dashurohesh dhe të dashurosh është njerëzore, është nga ato gjëra që njeriu nuk di t’i shpjegojë dot ndonjëherë. Tek ky mosshpjegim mund të “shpjegojmë” edhe atë pse pasanikes Rula nga Athina “i ka rënë në kokë” për Franin nga Shkodra. Shumë njerëz madje janë mallëngjyer tek kanë parë ligjërimin e Rulës në televizione e gazeta tek flet për dashurinë e saj për bashkëshortin, të cilin as vetë nuk di ta dallojë si e do, duke e vënë në mes të dashurisë si burrin dhe si djalin e saj?!... Ne kemi dëgjuar vetëm Rulën, e cila përsërit e përsërit refrenin “Fran kthehu”. Por nuk kemi dëgjuar Franin, për t’i thënë nëse duhet të kthehet(?!) apo për t’i thënë “Fran, bëre mirë që ike”!...Por, në fund të fundit, edhe pse një histori mes një “Romeo-shqiptar dhe një Zhuliete-greke” tregoi se si mund të thyhet ajo panoramë libreske, ku gjithnjë personazhet negativë dalin vetëm shqiptarët?! Rula kërkon një pasaportë shqiptare. Rula kërkon të blejë tokë dhe të varroset në fshatin e burrit të saj shqiptar. Rula kërkon të investojë në Shqipëri… Dhe vetëm pse do kaq shumë djalin nga Shqipëria…E shikoni? Jemi të mirë ne shqiptarët!... E kemi të madhe dashurinë! E kemi të madhe kurajon! E kemi të madh moralin. Të madh… Kemi shumë gjëra të mëdha!      * * *Ndërsa dëgjoja një greke që kërkon të bëhet shqiptare, përnjëherësh mu shfaq para syve një serb, banor i Mitrovicës, i cili tha në një rubrikë opinionesh spontane gjatë një proteste serbe pak a shumë kështu: “Nëse ka Zot, Kosova do të jetë nën Serbi, do ta mbrojmë me çdo kusht”… Si ky serbi i Mitrovicës ka dhe të tjerë, domosdo. Po ta pyesësh këtë serbin për shqiptarët, sigurisht nuk le gjë pa thënë. Por Kosovën e do. Mirëpo Kosova nuk mund të kuptohet pa shqiptarët. Këtë e harron ky shkjau i Mitrovicës. Edhe këtij, si Rula, por në të kundërt të saj, “i ka rënë në kokë” për shqiptarët, madje gjer në urrejtje. Pse? Ndoshta ngaqë për ato arsye që thamë më lart. Sepse shqiptarët kanë shumë gjëra të mëdha… Ndoshta ky serbi i Mitrovicës ka humbur ndonjë nga ato që shqiptarët i kanë me “të madh”-e (përjashtuar dashurinë, kurajon, moralin)?!...  Në Serbi, si ky njeriu të cilin citova pak më lart, ka dhe të tjerë, por që janë shumë më pak se shumica e qytetarëve serbë, pak më pak se ç’mendohet nga opinioni dhe më pak se sa thonë politikanët serbë. E keqja është se ata ndërsehen (ndoshta nga halli) nga politikanë. Ata dëgjojnë mbrëmjeve Samarxhiç apo Jeremiç dhe të nesërmen shfryjnë nacionalizëm të kutërbuar. Po fundja punë e madhe, shqiptarët e Kosovës e kanë të qartë të ardhmen e tyre. “Vari samarin”, i thonë një shprehje që Samarxhiç-ët duhet ta kuptojnë. Kurse Jeremiç, kam përshtypjen se edhe vetë e di se për shqiptarët e Kosovës flet shpesh “jerm”!...  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›