E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndjekje dhe aksident i shumëfishtë në qendër të Fierit, shoferi i “Porsche”-s përplas dy makina të parkuara, qytetarët e bllokojnë, prangoset nga policia

Një ngjarje me rrezikshmëri të lartë ka tronditur qendrën e qytetit të Fierit pak minuta më parë, kur një automjet luksoz është bërë protagonist i një ndjekjeje policore dhe i një aksidenti të shumëfishtë. Fatmirësisht, incidenti ka përfunduar vetëm me dëme materiale dhe pa pasoja në njerëz.

Sipas informacioneve paraprake nga gazetarja e RTSH- 24 në Fier, drejtuesi i një automjeti të tipit “Porsche” po lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara në një zonë me qarkullim të dendur. Kur një patrullë e Policisë së Shtetit i ka bërë me shenjë të ndalojë, shoferi jo vetëm që nuk i është bindur urdhrit, por ka shtuar shpejtësinë në një tentativë të dëshpëruar për t’u larguar.

Përplasja dhe tentativa për të fshehur provat

Në përpjekje e sipër për t’u shpëtuar forcave të rendit, drejtuesi ka humbur kontrollin mbi mjetin e tij. Si pasojë e shpejtësisë, “Porsche” është përplasur me dy automjete të tjera që ndodheshin të parkuara në anë të rrugës, duke i dëmtuar rëndë ato.

Sipas gazetares, sapo ndodhi përplasja, shoferi ka dalë me nxitim nga makina dhe ka filluar të heqë targat për të mos u identifikuar. Menjëherë pas kësaj ai tentoi të largohej në këmbë, por u bllokua nga njerëzit që ishin aty pranë.

Aktualisht, drejtuesi i automjetit është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Fier, ku po merret në pyetje. Në pamjet video shihet se në vendngjarje ndodhen forca të shumta policie dhe grupi hetimor, të cilët kanë rrethuar perimetrin dhe po kryejnë matjet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e këtij incidenti të rëndë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›