E Diel, 1 Nëntor 2026

Restaurohen 4 objekteve fetare në Voskopojë dhe Vithkuq, me financim të BE-së dhe BERZH

Katër objekte të rëndësishme të trashëgimisë fetare në Voskopojë dhe Vithkuq janë inauguruar pas përfundimit të restaurimit të tyre, në praninë e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, BERZH-it dhe kryetarit të Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo.

Projekti, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, përfshiu restaurimin e kishave të Shën Marisë dhe Shën Mëhillit, si dhe manastireve të Shën Prodhomit dhe Shën Pjetrit e Shën Palit.

Investimi prej mbi 793 mijë eurosh synon ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe nxitjen e turizmit në zonën e Korçës.

Punimet nisën në vitin 2023 dhe përfunduan në gusht 2025, duke përfshirë restaurimin e çative, forcimin e strukturave dhe ruajtjen e afreskeve, ikonostazeve dhe elementëve të tjerë artistikë.

Projekti u realizua në bashkëpunim me institucionet shqiptare të trashëgimisë kulturore, për të garantuar mbrojtjen dhe vizitueshmërinë e monumenteve në të ardhmen.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›