E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka-Rraja/ Si nisi hasmëria mes dy ish-deputetëve të PS

Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja ka lënë qelinë këtë të mërkurë për të vijuar me masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

“Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” caktuar ndaj të pandehurit Xhelal Rraja, me vendimin Nr. 49, datë 15.05.2024 dhe me vendimin Nr.78, datë 12.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO).

Arsyet shëndetësore janë bërë shkak për ndryshimin e masës së sigurisë.

ARRESTIMI DHE AKUZAT

Rraja u arrestua në maj 2024 në kuadër të dosjes “Revanshi”, i akuzuar për veprat penale grup të strukturuar kriminal dhe sigurim kushtesh për të kryer vrasjen e ish-deputetit Arben Ndoka.

Vëllai i ish deputetit socialist ishte mes 14 të pandehurve që u arrestuan nga operacioni që goditi 7 grupe kriminale që vepronin në Shqipëri.

Ai akuzohet për “Sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 e 28/4 të Kodit Penal; “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e krijimit, organizimit ose drejtimit të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi 1 i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 334 pika 1 i Kodit Penal.

Por si nisi hasmëria mes dy deputetëve socialistë?

Në dosjen e SPAK thuhet se organizatori në planin për vrasjen e Arben Ndokës, që nuk u realizua, ka qenë Xhelal Rraja.

Rraja, sipas SPAK ishte pjesë e grupeve të Durim Bamit e Endrit Dokles që tentuan vrasjen e ish ligjvënësit tjetër socialist, Arben Ndoka.

Nga hetimet e SPAK rezulton se Arben Ndoka ishte planifikuar të ekzekutohet në janar 2021, kur ky të shkonte për kafe dhe qokë në Rrugën e “Elbasanit”, pasi kishte vdekur një gjyqtar nga Lezha. Por, Ndoka nuk shkoi për ngushëllim, ndaj edhe plani dështoi.

Në dosjen hetimore, Prokuroria e Posaçme thotë se Durim Bami dhe Endrit Dokle, në bashjkëpunim me Xhelal Rrajën, vëllain e ish deputetit socialist dhe Marklen Hakën, thurën planin për të vrarë deputetin socialist Arben Ndokën.

Ky i fundit kishte tentuar disa herë më ndihmën e Ervis Martinaj, Emiljano Shullazin dhe pjesëtarë të grupit kriminal Avdulaj, Aldo dhe Astrit Avdylaj, të vriste Durim Bamin, pasi dyshonte se ishte i implikuar në vrasjen e vëllait të tij Aleksandër Ndoka. Pavarësisht se e ndoqën e vëzhguan për një kohë të gjatë, ata nuk e arritën dot Bamin, pasi lëvizte me makine të blinduar dhe merrte masa të lartë sigurie në cdo lëvizje.

Sipas SPAK, Endrit Dokle kishte marrë përsipër të siguronte informacionin për lëvizjen e ish deputetit Ndoka, Durim Bami dhe Xhelal Rraja ishin organizatorë, ndërsa Marklen Haka kishte marrë përsipër të gjente vrasësit e ish deputetit.

Në dosjen e SPAK theksohet se “pasi ka pritur deri në orën 16:04 duke marrë informacion nga Marklen Haka për ardhjen e shtetasit Arben Ndoka, është larguar, pasi ai e ka informuar që të mos rrijë më aty pasi ai nuk do të vinte”.

Kujtojmë se, Arben Ndoka kishte tentuar disa herë, edhe me ndihmën e Ervis Martinajt, Emiljano Shullazit dhe pjesëtarë të grupit kriminal Avdulaj, të vriste Durim Bamin pasi dyshonte se ishte i implikuar në vrasjen e vëllait të tij Aleksandër Ndoka.

Por pavarësisht se e ndoqën e vëzhguan për një kohë të gjatë, ata nuk arritën të përfundonin planin pasi Bami lëvizte me makine të blinduar dhe merrte masa të lartë sigurie në cdo lëvizje.

LEXO EDHE: U pagua nga ish-deputeti për të vrarë vëllezërit Bami, GJKKO le në burg 37-vjeçarin

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›