Ndonëse mot me reshje, situata në HECE problematike

Pavarësisht reshjeve të dendura të shiut dhe të deborës përsëri situata energjitike në vend mbetet problematike. Sipas të dhënave të KESH në Kaskadën e lumit Drin reshjet kanë rënë më tepër në formën e dëborës, duke mos dhënë kështu ende efekt në rritjen e nivelit të ujit në liqene. Temperatuarat e ulta që kanë përfshirë vendin ditët e fundit kanë bërë që konsumi i energjisë elektrike në Shqipëri të arrijë pikun .Kështu sipas të dhënave në vend konsumohet rreth 25 milion kw energji elktrike në ditë, ndërkohë që prodhohet vetëm 14 milion kw. Pjesa tjetër e energjisë elektrike e cila nevojitet për të plotësuar nevojat importohet nga jashtë. Nga të dhënat e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare rezulton se niveli i Fierzës ka arritur në 262.39 metra, ndërsa prurjet llogariten në 90 metra kub në sekondë. Niveli i Komanit ka arritur në 171 metra, ndërsa prurjet janë 36 metër kub për sekondë. Vau i Dejës ndërkohë është në nivelin e 73.4 metra dhe prurjet janë 20 metër kub për sekondë. Situata e vështirë energjitike në vend ka ardhur si rezultat i reshjeve të pakta të shiut gjatë muajve të fundit në vendin tonë. Një përmirësim i situatës pritet që të ndodhë me shkrirjen e dëborës, e cila do të ndikojë në rritjen e nivelit ujit në hidrocentrale dhe si pasojë edhe në rritjen e prodhimit të energjisë në vend.Për të siguruar energji elektrike në këtë situatë të vështirë kreu i qeverisë ka deklaruar se ajo do të importohet, pavarësisht cmimeve të larta me të cilat ajo po shitet në rajon.