Ndotja e lumenjve, vijon problematika në Pojan, kërkohet ndërgjegjësim i banorëve

Hedhja e mbetjeve urbane dhe e plehut organik në vende të papërshtatshme vijon të jetë një problem për fshatin Pojan, në bashkinë Maliq.
Edhe pse në zonën e argjinaturës së lumit Devoll po kryhen ndërhyrje për pastrimin dhe largimin e mbetjeve, problematika përsëritet për shkak të depozitimit të tyre jashtë vendeve të përcaktuara.
Administratori i Njësisë Administrative Pojan bën sërish apel për ndërgjegjësim të banorëve, duke theksuar se pastrimi i territorit nuk është i mjaftueshëm nëse mbetjet vijojnë të hidhen në mënyrë të pakontrolluar.
“Këtu jemi në argjinaturën e lumit Devoll. Po bëjmë sistemimin e këtyre inerteve pasi edhe qytetarët nuk po tregohen të gatshëm për të bashkëpunuar me ne pasi shumë metra më poshtë ne i kemi krijuar kushtet për një gropë për dekompozimin e këtyre mbetjeve dhe grumbullimin e këtyre mbetjeve dhe më pas bëjmë largimin e tyre. Por kjo gjë vazhdon e përsëritet”, tha Kreshnik Azo, Administrator i Njësisë Pojan
Autoritetet vendore paralajmërojnë gjithashtu masa ndaj personave që vijojnë të ndotin hapësirat publike, ndërsa banorëve u kërkohet që mbetjet t’i depozitojnë vetëm në vendet e përcaktuara.
“Po bëhet gati një procedurë për t’u marrë masat. Çdo qytetar që i drejtohet argjinaturës të lumit do gjobitet kundrejt një vlere që e përcakton Këshilli Bashkiak Maliq”, tha ai.
Apeli mbetet që pastrimi i Pojanit të shoqërohet me më shumë përgjegjshmëri qytetare, në mënyrë që puna e bërë për rehabilitimin e territorit të mos dëmtohet sërish nga hedhja e mbetjeve.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/