E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata e zjarreve në Devoll, raste sporadike gjatë verës, strukturat vijojnë të jenë në gatishmëri

Situata e zjarreve në Bashkinë Devoll gjatë këtij sezoni veror paraqitet e qetë, me raste sporadike që janë mbajtur nën kontroll nga strukturat përgjegjëse. Sipas autoriteteve, faktorët kryesorë në parandalimin e përhapjes së zjarreve kanë qenë njoftimi në kohë dhe bashkëpunimi i mirë mes strukturave të emergjencave. Krahasuar me një vit më parë, numri i vatrave ka qenë më i ulët, ndërsa strukturat e emergjencave civile vijojnë të jenë në gatishmëri gjatë gjithë sezonit.

“Për këtë vit situata është më e qetë. Sigurisht që ka patur disa raste të vogla zjarrish, por falë ndërhyrjes në kohë të forcave zjarrëfikëse dhe njoftimeve të shpejta është bërë e mundur fikja dhe neutralizimi i tyre. Në krahasim me vjet kjo situatë paraqitet më e qetë. Ne kemi zhvilluar në bashkinë Devollë takimin e grupit të emergjencave dhe situata paraqitet normale. Në çdo njësi administrative administratorët e njësisë së bashkë me forcat e policisë, MZSH-të dhe strukturat e tjera të emergjencave kanë zhvilluar takim edhe me barinjtë e zonave edhe me banorë të zonave për t’i ndërgjegjësuar. Kështu që situata momentalisht është shumë e qetë”, deklaroi Henrik Rusi, Nënprefekt i Bashkisë Devoll.

Një prej rasteve që kërkoi angazhimin e strukturave ishte zjarri i rënë në zonën “Lëndina e Madhe”, mbi fshatin Sinicë. Vatra u neutralizua në kohë, duke shmangur përhapjen e flakëve dhe dëmet e konsiderueshme në zonë.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›