Ndotja nga mbetjet e anijeve të lundrimit, u hiqet liçensa 14 kompanive
Durrës- Përpunimi i vajrave dhe mbetjeve të anijeve të lundrimit është një fenomen shqetësues për zonat bregdetare. Ministria e Mjedisit ka pezulluar 14 nga 18 licencat e dhëna kompanive që duhet të përpunojnë këto vajra dhe mbetjem pasi në vendin tonë mungojnë impiantet e përpunimit të tyre.
Ndaj drejtori i Kontrollit Mjedisor Alfred Deshati kërkoi bashkëpunimin e Task-Forcës Kundër Ndotjes Detare, me Drejtorinë Detare dhe pushtetin vendor për të mbikqyrur aktivitetin e dëmshëm të ujrave detare.
“Sot në Republikën e Shqipërisë nuk kemi asnjë subjekt që ka një impiant konform standarteve të BE-së që merret me trajtimin e vajrave të përdorura, në një kohë që ne kemi subjekte që janë pajisur me leje për këtë gjë, dhe njëkohësisht nuk kemi impiante të caktuara që merren me trajtim dhe riciklim, dhe kjo për mendimin tonë është një mashtrim dhe nuk mund të rrimë pa reaguar kundrejt këtyre subjekteve të cilat kanë gënjyer, kanë mashtruar sikur kanë bërë investime për këto impiante dhe nga ana tjetër, marrin çdo ditë, grumbullojnë dhe në thonjëza bëjnë sikur trajtojnë dhe riciklojnë këto vajra”,-tha Deshati.
Ndërsa Drejtoria Detare tha se mungon edhe një sistem i mirëfilltë për kontrollin e ujrave detare, çka ka lënë hapësira për abuzime nga mjetet e lundrimit.
“Të gjitha subjektet, pronarët e anijeve, e dinë që shkeljet ekologjike penalizohen me vlera tepër të larta monetare, duke filluar nga 70 deri në 100 mijë euro për një ndotje minimale, ndërkohë që fryma e tolerimit dhe mungesa e sistemit këtu në territorin tonë, ka bërë që shkeljet të tolerohen dhe të konseiderohen deri tani me një dorë të lëshuar”,-tha Gazmir Tahiri.
Task-forca e ngritur për ndotjen e ujrave detare nuk do të lejojë ndotjen e ujërave të detit që shkaktohet nga mbetjet e lëngshme apo të ngurta të anijeve.