E Enjte, 5 Nëntor 2026

Negociatat, Rama: Volumi i detyrave mbase u ndriçon fillin e arsyes atyre që ngritën akuza të paarsyeshme ndaj Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama theksoi sot se çelja e negociatave për grupkapitullin “Themeloret” është një moment historik si kurorëzim i përpjekjeve të mëdha të deritanishme në fushën e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama përcolli foton e ekipit që përfaqësoi vendin në konferencën e dytë ndërqeveritare Shqipëri-BE të mbajtur sot në Luksemburg, duke renditur edhe kapitujt për të cilët u hapën negociatat: funksionimi i institucioneve demokratike; reforma në administratën publike; Gjyqësori dhe të drejtat themelore; Drejtësia, liria dhe siguria; kriteret ekonomike; prokurimi publik; Statistikat dhe kontrolli financiar.

Kreu i qeverisë u shpreh se “mbase përmbajtja e këtij grupi-kapitujsh dhe volumi i detyrave për t’u kryer, do t’ua ndriçojë fillin e arsyes edhe të gjithë atyre që ngritën akuza të paarsyeshme kundër Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin”.

Shqipëria u përfaqësua në konferencën e dytë ndërqeveritare nga nga Kryeministri Edi Rama, Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni. Në tryezë për palët shqiptare ishin dhe të gjithë zv/ministrat, të cilët përfaqësojnë sektorët e kapitujve të negocimit, të njohur si “Themeloret”.

/k.s/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›