Ndryshime në Policinë e Tiranës, Edmond Meshini komandohet zëvendësdrejtor për Rendin dhe Sigurinë

Në kuadër të ndryshimeve në strukturat vendore dhe qendrore të Policisë së Shtetit, Edmond Meshini është komanduar në detyrën e Zëvendësdrejtorit për Rendin dhe Sigurinë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Ndryshimet vijnë pas një sërë emërimesh dhe transferimesh të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit në funksione të reja.
Sipas vendimeve të fundit, Drejtues i Parë Kastriot Skënderaj është emëruar në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, duke marrë drejtimin e strukturës vendore të rendit në këtë qark. Ndërkohë, Drejtues Fatmir Hoxha, i cili mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, është emëruar Specialist në Drejtorinë për Integrimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ndryshime janë bërë edhe në strukturat e Policisë së Shtetit në juglindje të vendit. Drejtues Luigj Vathi, nga detyra e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, është emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë. Nga ana tjetër, Drejtues Gëzim Zhupaj është transferuar nga detyra e Drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë dhe është emëruar Shef Sektori në Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
/rtsh.al/