Thatësira detyron fermerët të hapin puse, panelet diellore po ulin kostot e vaditjes në Lushnjë

Thatësira e tejzgjatur ka vështirësuar sigurimin e ujit për tokat bujqësore. Kanalet, që prej vitesh kanë mungesë uji, i kanë detyruar fermerët të kërkojnë zgjidhje të tjera për vaditjen. Në Çermë, një banor ka ndërtuar një pus të pajisur me panele diellore. Energjia e tyre vë në punë pompën e ujit dhe mundëson vaditjen e rreth 15 dynymëve. Sipas fermerit, kjo metodë ul ndjeshëm kostot.
Por këtë zgjidhje nuk e kanë të gjithë. Shumica përdorin puse me pompa me benzinë, duke përballuar kosto më të larta për shkak të çmimit të karburantit.
Dy barinj nga Gramshi i Lushnjës kanë marrë me qira 50 hektarë kullota dhe ujin për bagëtitë e sigurojnë nga një pus me pompë me karburant.
Me rritjen e kostove të prodhimit, fermerët po kërkojnë alternativa më ekonomike për vaditjen. Puset me panele diellore janë një prej zgjidhjeve që po përdoret gjithnjë e më shumë.
/rtsh.al/