E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndryshime të mëdha ligjore kundër dhunës në familje, projektligji i ri mbron edhe gratë në politikë

Me propozim të Këshillit të Ministrave, është hedhur për konsultim publik një projektligj ambicioz dhe gjithëpërfshirës për parandalimin, mbrojtjen ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Ky projektligj synon të modernizojë kuadrin ligjor duke adresuar format e reja të abuzimit, duke vënë në qendër viktimën.

Projektligji shtrin efektin e tij në të gjitha mjediset, qoftë publike, private apo në familje, duke përfshirë shprehimisht edhe dhunën në mjedisin digjital.

Fokusi i ri, dhuna në politikë dhe hapësira digjitale

Një nga pikat më thelbësore dhe inovative të ligjit është përfshirja e qartë e “dhunës dhe ngacmimit ndaj grave në politikë”. Ky diskriminim, që synon cenimin e dinjitetit të grave e vajzave kandidate, të zgjedhura apo që ushtrojnë funksione zyrtare, tashmë do të ndëshkohet me masa mbrojtëse civile dhe administrative, përfshirë urdhra ndalimi dhe gjoba, shkruan rtsh.al.

Po aq i rëndësishëm është adresimi i dhunës së lehtësuar nga teknologjia. Ligji tani përcakton dhe ndëshkon veprime si:

Keqpërdorimi i imazheve intime pa pëlqim (duke përfshirë kërcënimin për shpërndarje).

Përndjekja digjitale (cyberstalking) dhe ngacmimi digjital.

Mbrojtje e menjëhershme dhe akses në drejtësi

Projektligji forcon sistemin e masave mbrojtëse duke parashikuar tre lloje urdhrash: Urdhrin për Masat Paraprake të Mbrojtjes së Menjëhershme (UMPMM) nga Policia, Urdhrin e Mbrojtjes së Menjëhershme (UMM) dhe Urdhrin e Mbrojtjes (UM) nga gjykata.

Parime kyçe të projektligjit të ri janë qasja me në qendër viktimën. Kjo ka të bëjë me forcimin e sigurisë, mirëqenies dhe pjesëmarrjes aktive të viktimës, duke shmangur viktimizimin dytësor.

Aksesi falas në drejtësi, ku do të garantohet akses i shpejtë, falas dhe i thjeshtuar në mjetet juridike.

Projektligji parashikon ndalimin e ndërmjetësimit, ku do të ndalohet ndërmjetësimi apo pajtimi me detyrim në çështjet që përfshijnë dhunë.

Mos-justifikimi i dhunës është një tjetër pikë e projektligjit, sipas të cilit, asnjë traditë, zakon, fe apo normë shoqërore nuk mund të përdoret për të justifikuar aktet e dhunës.

Projektligji përcakton gjithashtu masat thelbësore, si largimi i dhunuesit nga banesa, sekuestrimi i armëve, vendosja e GPS për dhunuesit që shkelin urdhrin e mbrojtjes, dhe detyrimi i dhunuesit për të ndjekur programe rehabilitimi psiko-edukuese.

Me këtë projektligj, shteti shqiptar tregon vendosmërinë për të luftuar dhunën në çdo formë dhe mjedis, duke i dhënë mekanizmave mbrojtës fuqinë dhe shpejtësinë e nevojshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›