Ndryshimet fiton varianti me zv/ministra deri ne zgjedhje

Në kohën kur Partia Demokratike ndodhet mes dy rrymave të kundërta, ku njëra kërkon zëvendësimin e menjëhershëm të ministrave që do kandidojnë më 8 maj dhe tjetra kërkon drejtimin e dikastereve qeveritare nga zv/ministrat, njerëz të besuar të Kryeministrit brenda qeverisë nxjerrin versione të reja.
Rasti “Olldashi” në vitin 2007, ku Ministria e Brendshme drejtohej nga zv/ministri Gjergj Lezhja, nuk rezultoi efikas për Partinë Demokratike.
Në këto kushte, grupime brenda PD-së i kanë kërkuar kreut të qeverisë të gjejë një mënyrë të re për të zgjidhur boshllëkun që do të lërë në Ministrinë e Brendshme Lulzim Basha, nëse do të përfshihet zyrtarisht në garën elektorale.
Ndërkaq, burime pranë qeverisë bënë të ditur se kjo nuk është diçka e lehtë, se një hapje e lojës do të rrisë orekset brenda PD-së, por edhe në partitë aleate.
Kreu i mazhorancës do të shfrytëzojë të gjitha afatet kushtetuese për të dorëzuar në limitin e fundit në KZAZ kandidatët për kryetarë bashkie dhe komune. Burime pranë gazetës “Shqip” bëjnë me dije se, shkak për këtë është bërë kandidimi i dy ministrave në garën elektorale të 8 majit.
Për të shmangur çdo presion nga të vetët, Berisha do të zyrtarizojë kandidatët e dy bashkive më të mëdha në vend, Tiranë dhe Durrës në limitet e fundit të dorëzimit të emrave të kandidatëve në KZAZ.
Menjëherë pasi do të publikohen zyrtarisht nga demokratët kandidatët e 8 majit, atëherë ministrat që hyjnë në garë për bashkitë do të japin dorëheqjen nga posti qeveritar.
Burime brenda PD-së theksojnë se ka gjasa që të kërkojë një vend para zgjedhjeve në kabinet edhe PDIU-ja, por ky variant është cilësuar jo shumë i saktë nga burime të tjera shumë afër kësaj partie.
Burime pranë Kryeministrit pohojnë se, kësaj force politike i është premtuar një post qeveritar.