E Martë, 3 Nëntor 2026

Ndryshimet klimatik, 8 bashki hartojnë për herë të parë planet e përshtatjes

Tetë bashki në vend, Vlora, Elbasani, Përmeti, Gjirokastra, Durrësi, Fieri, Kruja dhe Kukësi kanë hartuar për herë të parë planet e përshtatjes ndaj ndikimeve të mundshme të ndryshimeve klimatike.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) zhvilluan një Konferencë Kombëtare ku u diskutuan këto plane, ndërsa ministrja Mirela Kumbaro theksoi urgjencën e adaptimit lokal ndaj klimës dhe rolin kritik që luajnë këto plane në ndërtimin e komuniteteve të qëndrueshme.

“Ndryshimet klimatike paraqesin sfida të rëndësishme për ekonomitë, komunitetet dhe ekosistemet tona lokale. Adoptimi dhe zbatimi i këtyre planeve, përbën hapa vendimtarë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, por edhe shembulli se si kur koordinohemi, mund të bëjmë punë të mira. Këtë vit e nisëm me një kryefjalë, që janë Pyjet. E pagëzuam vitin 2024 si Vitin e Pyjeve me një program pyllëzimi dhe sensibilizimi në gjithë vendin me 50 bashki pjesëmarrëse, 156 aktivitete pyllëzimi dhe rreth 300 mijë fidanë të mbjellë në vetëm 4 muajt e parë të këtij viti,” tha Ministrja Kumbaro teksa deklaroi se edhe këtë vit Shqipëria do të jetë pjesë e COP29, Samitit Botëror të Klimës.

Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Monica Merino, vuri në dukje përpjekjet bashkëpunuese pas hartimit të këtyre planeve. “Integrimi i strategjive lokale të përshtatjes në politikat më të gjera kombëtare është jetësor për sigurimin e qëndrueshmërisë klimatike gjithëpërfshirëse. Kjo konferencë shënon një moment të rëndësishëm në udhëtimin tonë drejt zhvillimit të qëndrueshëm,” tha Merino.

Planet Lokale të Përshtatjes u prezantuan nga kryetarët e tetë bashkive të përfshira në këtë proces, ku secili diskutoi sfidat specifike klimatike me të cilat përballen komunitetet dhe ekonomitë e tyre dhe masat e propozuara të përshtatjes për adresimin e këtyre çështjeve.

Në vijim pritet miratimi i Planeve Lokale të Përshtatjes nga këshillat bashkiakë përpara COP-29, dhe integrimi i disa prej masave prioritare kryesore të përfshihen në Planin Kombëtare të Përshtatjes, që pritet të lehtësojë aksesin në burime financiare kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ndër të tjera, konferenca theksoi edhe rëndësinë e forcimit të partneriteteve midis aktorëve vendorë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të arritur një përshtatje efektive ndaj ndryshimeve të klimës. Në zbatim të  Ligjit nr. 155/2020 “Për ndryshimet klimatike”, bashkitë duhet të hartojnë dhe zhvillojnë politika dhe masa përshtatëse, për të zvogëluar rrezikun dhe pasojat e ndryshimeve të klimës, duke rritur kapacitetet dhe përfshirjen e barabartë gjinore në proceset vendimmarrëse për përshtatjen dhe ripërtëritjen e komuniteteve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›