E Martë, 3 Nëntor 2026

Ndryshimet ligjore, Muzhaqi: Rritje e përfaqësimit të garantuar për të rinjtë

TIRANË, 13 mars/ATSH/ Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi sot  disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Rininë”.

Projektligji u prezantua nga ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, e cila u shpreh se kjo nismë propozon harmonizimin e përbërjes së këshillave vendorë rinorë sipas kritereve objektivë dhe të unifikuara në shkallë vendi.

“Gjithashtu kjo nismë harmonizon unifikimin e metodologjisë për përcaktimin e numrit të anëtarëve të këshillave vendorë rinor, duke e llogaritur me një të tretën e numrit në fuqi të anëtarëve të këshillit bashkiak, ku të paktën 2 të tretat e anëtarëve janë nga të rinjtë”, tha Muzhaqi.

Ministrja Muzhaqi u shpreh se me anët të këtyre ndryshimeve në ligj propozohet rritja e përfaqësimit të garantuar për të rinjtë brenda Këshillit Kombëtar Rinor nga një e dyta në dy të tretat e numrit të përgjithshëm të anëtarëve, etj.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për rininë” u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi edhe në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.

Mbledhja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik vijoi zhvillimin e një seance dëgjimore me kandidatët për anëtarë të bordit të ISKK, më konkretisht me Hasan Bello, Nikolin Lleshi, Alma Lico Mirakaj, Xhafer Sadiku, Niuton Mulleti dhe Simon Mirakaj.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›