E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Basha: Berisha e Rama janë një parti

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha ka shpërndarë një video në të cilën Sali Berisha dhe Edi Rama shfaqen duke sulmuar njëri-tjetrin.

Basha thekson se marrëveshja e arritur mes Ramës dhe Berishës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, i ka shkrirë ata në një parti, për shkak të halleve të përbashkëta me SPAK.

“Asnjë mashtrim nuk e mbulon dot pazarin e djeshëm, sepse pa votat e Sali Berishës, Rama nuk i mbyllte dot listat. Justifikimet për t’iu hedhur hi syve të shqiptarëve dhe demokratëve, nuk e zbehin dot revoltën ndaj allishverishit mes Rilindjes dhe Rithemelimit.
Indinjata nuk ka qenë kurrë kaq e madhe, sepse të gjithë e dinë tashmë që ata janë shkrirë në një parti të vetme për të mbrojtur interesat e tyre dhe të karrigeve të tyre, duke u tallur me qytetarët që duan një Reformë Zgjedhore të vërtetë”, thekson Basha.

“Ata nuk kanë hallin e familjeve shqiptare, të varfërisë, të largimit të të rinjve, të korrupsionit të kudogjendur, por i shqetëson vetëm halli i tyre i përbashkët me SPAK-un. Shqipëria nuk e meriton këtë pazar të turpshëm!”, nënvizoi Basha.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›