E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Gjykata Kushtetuese cakton 26 nëntorin për shqyrtim

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të shqyrtojë në datën 26 nëntor, kërkesën e depozituar nga Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe organizata “Shqipëria Bëhet” për shfuqizimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të miratuara në seancën e 26 korrikut në Kuvend, me dakordësinë e dy partive të mëdha.

Siç njofton Gjykata Kushtetuese, seanca do të zhvillohet në orën 10:00 dhe seanca do të jetë publike.

Konkretisht partia e drejtuar nga deputeti Dashamir Shehi, së bashku me organizatën “Shqipëria Bëhet” kërkojnë “Shfuqizim të nenit 67 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, ndryshuar me nenin 5 të ligjit nr. 81/2024”.

Kërkesa lidhet me çështjen e “listave të kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive politike”, i cili me ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor parashikon që lista e deputetëve do të jetë pjesërisht e hapur. Në padi specifikohet se deputetët duhet të vendosen nga qytetarët, jo partitë, ndërsa ka kërkuar lista të hapura.

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, paditi në muajin gusht të këtij viti ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›