Salianji letër europarlamentarëve: U dënova në një proces të falsifikuar

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, nga burgu i Fierit, u ka dërguar një letër ambasadave perëndimore në Tiranë dhe eurodeputetëve në Parlamentin Europian, anëtarë të MSA-së, të cilët kanë mbërritur sot në Shqipëri.
Salianji thotë se “është i burgosur politik”, dhe sipas tij është “dënuar me një proces të falsifikuar”.
“Procesi i falsifikuar dhe dënimi pa ligj vetëm se denoncova një trafikant ndërkombëtar droge të dënuar në Itali me vendim të formës së prerë pas një operacioni të DEA-s! Vendim që ka krijuar një precedent të rrezikshëm që hedh në tokë gjithçka ky vend ka mundur të arrijë me shumë vështirësi në këto 34 vite”, shkruan Salianji në letrën drejtuar ambasadorëve dhe europarlamentarëve.
Në letër, ish-deputeti u shkruan përfaqësuesve të shteteve perëndimore, se “kryeministri, njerëzit pranë tij dhe segmente të tij u bënë bashkë kundër denoncimit të tij, për një të dënuar për trafik droge në Itali, dhe burgosën dhe ndëshkuan denoncuesin, deputet i PD-së”.
“Është e pahasur më parë që një trafikant ndërkombëtar droge, të bëjë bashkë kaq shumë segmente të pushtetit në një qëllim të vetëm, hakmarrjen ndaj atij që tregoi të vërtetën se, personi në fjalë po i shpëtonte dënimit në Itali, dhe personi në fjalë ishte vëllai i Ministrit të Brendshëm”, shkruan Salianji.
Salianji, në mbyllje të letrës, e cilëson si politik, procesin dhe dënimin, edhe për faktin se gjithçka ndodhi në prag të zgjedhjeve parlamentare.
Salianji u kërkon ambasadorëve dhe eurodeputetëve që të mos “bëhen dëshmitarë të vendosjes së një regjimi të ri në Europë”.
Bashkë me letrën, Salianji u ka dërguar përfaqësuesve të huaj edhe kronologjinë e plotë të dosjes “Xhafaj”.
Ish-deputeti demokrat është dënuar me 1 vit burg për “Kallëzim të rremë”, në lidhje me dosjen “Babalja”.
Gjykata e Tiranës në dhjetor të vitit 2019, e shpalli fajtor Salianjin për akuzën e “Kallëzimit të rremë”, vendim i cili u la në fuqi nga Gjykata e Apelit më 26 shtator 2024.
/r.e/a.f/