E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet ne Kushtetute seanca me 6 gusht

Ndryshimet kushtetuese të propozuara nga mazhoranca lidhur me heqjen e imunitetit, pritet të shqyrtohen më 6 gusht, kur do të mblidhet edhe Kuvendi i Shqipërisë.

Konferenca e Kryetareve vendosi sot që më 21 korrik të mblidhet Këshilli Legjislativ dhe një ditë më pas të zhvillohet mbledhja e konstitucionalistëve për ndryshimet e nevojshme kushtetuese. Më pas këto ndryshime do të votohen në Kuvend më 6 gusht, ndërkohë që kryeministri Berisha i ka bërë thirrje opozitës që t’i votojë këto ndryshime.

Nisma për heqjen e imunitetit, si një nga kushtet themelore të kërkruara nga BE në kuadër të përmbushjes së 12 rekomandimeve adresuar vendit tonë, është marrë pikërisht nga deputetët e mazhorancës, të cilët pak ditë më parë arritën të mbledhin firmat e nevojshme për të kërkuar ndryshime në Kushtetutë.

Çështja e imunitetit dhe pengesa që krijon ai në hetimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në vepra të ndryshme penale dhe veçanërisht çështje që kanë të bëjnë me korrupsionin, është artikuluar shpeshherë si një ngërç që duhet zgjidhur edhe nga kreu i organit të akuzës, kryeprokurorja Ina Rama.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›